Që nga 1 Janari i vitit 2019, qeveria shqiptare vendosi që fëmijët e porsalindur të shpërbleheshin në shumën e 40 mijë lekëve të rinj për fëmijën e parë, të dytin 80 mijë lekë dhe të tretin 120 mijë lekë të rinj. Kjo u bë me synimin e rritjes së numrit të lindjeve në vendin tonë, pas një rënieje drastike nga viti në vit.
Duhet theksuar se që nga Janari i dy viteve më parë kjo skemë ka funksionuar normalisht, pasi çdo fëmijë i lindur e ka marrë shpërblimin në moment. Por ajo që vazhdon të mos jepet është një shumë modeste për fëmijët e lindur nga Qershori i vitit 2016 e deri në fund të vitit 2018. Shpërblimi për fëmijët që jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë ishte 5 mijë lekë të rinj. Në total fondi për 3905 fëmijë në të gjithë Qarkun Dibër është 9225000 lekë të rinj, ose 92 milion e 250 mijë lekë të vjetra.
Fondi duhet t’i delegohet pushtetit vendor për ta shpërndarë, por Ministria e Brendshme ende nuk e ka akorduar një fond të tillë. Mat Televizion është në pritje të përgjigjes zyrtare se kur do të lëvrohet fondi nga ky institucion, pas ankimit që është bërë Pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.