Aksi rrugor Rrëshen – Shoshaj është ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si koridori i Matit për të lidhur dy rrugët më kryesore në verilindje të vendit, rrugën e Kombi dhe atë të Arbrit. I gjithë segmenti është bërë pothuajse i pakalueshëm. Në një gjendje tejet të amortizuar ndodhet edhe segmenti mes fshatrave Prosek e Perlat në Bashkinë e Mirditës. Veç shembjes që ka pësuar një pjesë e konsiderueshme e rrugës, ka prani të gropave të mëdha të cilat janë bërë shkak për dëmttimin e automjeteve të vogëla. Drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë rrugë, të revoltuar me gjendjen e saj, kërkojnë që abuzuesit me cilësinë e rrugës të ndëshkohen. Nga ana tjetër, banorët e zonës ankohen jo vetëm për gjendjen e rrugës, por edhe për shpronësimet. Ndonëse ata e kanë patur tokën me çertifikatë pronësie, nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim deri tani, megjithëse problemin e kanë ngritur që nga Bashkia Mirditë e deri tek ministria e linjës. Aksi rrugor prej 34 kilometrash nga Rrësheni në Shoshaj të Matit është ndërtuar në dy lote, të cilët kanë përfunduar në vitin 2013 dhe në mes të vitit 2014, por i gjithë aksi ka probleme të mëdha.