Ura e Çerenecit pa mbrojtëse, drejtuesit e mjeteve: na rrezikohet jeta
Ura e Çerenecit, që lidh Librazhdin dhe disa njësi administrative të Bulqizës me rrugën nacionale Bulqizë - Peshkopi, nuk ka siguri në mbrojtëset anësore. Ura në fjalë është ndërtuar shumë vite më parë e ndonëse u bë asfaltimi i rrugës nga aty në Librazhd, mbi urë nuk u investua. Mbrojtëset anësore janë që kur është ndërtuar ura, ndërsa nuk kanë asnjë siguri për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë drejt Librazhdit apo anasjelltas. Drejtuesit e mjeteve thonë se këto mbrojtëse nuk janë aspak efikase pasi sa herë është mbështetur apo përplasur një makinë ka përfunduar në zallin e Bulqizës. Mungesa e sigurisë nuk është vetëm për drejtuesit e mjeteve por edhe për këmbësorët të cilët shprehet se kanë frikë të kalojnë nga njëra anë në tjetrën për shkak se mungojnë mbrojtëset. Kjo urë është e vetmja mundësi që banorët e Gjoricës, Ostrenit, Trebishtit dhe ata që lëvizin drejt Librazhdit të kalojnë në të.