Jepet masa e sigurisë për nëne bir të dyshuar për vrasjen e 62 vjeçarit Urim Fiku
Sadete e Gazmir Fiku nënë e bir, të cilët dyshohet se me datë 3 Nëntor kanë vrarë shtetasin Urim Fiku, bashkëshort i Sadetes dhe baba i Gazmirit, kanë dalë para togave të zeza të gjykatës së dibrës. Prokuroria Dibër dërgoi në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë ndaj dy të arrestuarve, duke kërkuar që arresti me burg të vazhdojë. Seanca e nisur rreth orës 14:00 zgjati për më shumë se dy orë ku të akuzuarit u pyetën nga gjykata në lidhje me ngjarjen e rëndë. Të dy të akuzuarit kanë mohuar vrasjen e 62 vjeçarit duke i qëndruar versionit fillestar që ai ishte përleshur me një kafshë të egër (Ari), ku dhe kishte marrë plagët që i shkaktuan vdekjen. “Të dy të akuzuarit kanë mohuar ngjarjen, duke mbetur në pretendimet fillestare se është sulmuar nga ariu. Nga informacionet e marra ato kanë deklaruar se 61 vjeçari ka ardhur në shtëpi i gjakosur pasi ishte dëmtuar dhe i shpërfytyruar nga ariu, ka hyrë në në banesë ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar veten në gjoks. E shoqja ka njoftuar ambulancën. Gazmir Fiku në deklarimet e tij ka thënë se nuk ka qenë në banesë pasi ka qenë në punë në OSHE Bulqizë, gjatë kësaj kohe. Ato pretendojnë se Urim Fiku vendoste leqe për të zënë kafshë të egra(derra) në pyll.” Ajo ç'ka do të hidhte dritë mbi këtë ngjarje do të jenë aktet e ekspertimit të mjekësisë ligjore të cilet pritet të vijnë nga policia shkencore. Ky version nuk e ka bindur trupin gjykues i cili në fund vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për të lënë në qeli nënë e bir, nën akuzën e “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim. Po ashtu, këtë të premte para gjykatës së dibrës doli edhe 44 vjeçari Bledian Firi, banues në Tiranë i cili në datë 4 Nëntor vrau me armë gjahu shtetasin Elson Lala 29 vjeç banues në fshatin Strikçan të Bulqizës. 44 vjeçari Bledian Firi ka deklaruar se vrasja ka ndodhur padashje pasi të dy kanë qenë në një zonë të pyllëzuar duke gjuajtur për kafshë të egra. Megjithatë, gjykata e Dibrës e la në arrest me burg 44 vjeçarin teksa prokuroria pritet të zhvillojë më tej hetimet, deri në zbardhjen e rrethaneve të vërteta të ngjarjes së rëndë.