Debat i Ashpër në Komision: Gjobat ndaj Protestuesve, e Drejtë Kushtetuese apo Shkelje e Ligjit?

Debat i Ashpër në Komision: Gjobat ndaj Protestuesve, e Drejtë Kushtetuese apo Shkelje e Ligjit?

Një debat i tensionuar ka shpërthyer sot në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, duke vënë përballë deputetët e opozitës dhe mazhorancës mbi çështjen e gjobitjes së protestuesve.

Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, shprehu theks se gjobitja e qytetarëve që protestojnë ndodh vetëm në Shqipëri, duke e cilësuar këtë praktikë si shkelje të së drejtës kushtetuese për të protestuar. “Ndryshe nga çdo vend tjetër europian, ju keni arritur të gjobisni protestuesit. Këto janë të gjitha gjobat që ju keni vënë, te rruga para Ministrisë së Arsimit, thotë këtu. Nuk ka nevojë të marrë njeri leje për të protestuar. Asnjë lek nuk do të merrni nga këto gjoba, se janë antikushtetuese,” deklaroi Zhupa, duke shtuar se vendimet e gjykatave do t'i rrëzojnë këto gjoba, të cilat i konsideroi si “mjet represioni frikacak.” Ajo theksoi se protesta është një e drejtë themelore në një demokraci dhe se qytetarët nuk duhet të frikësohen.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Erion Malaj, mbrojti qëndrimin se protesta duhet të zhvillohet brenda kufijve të caktuar nga ligji. “Ajo që dimë të gjithë, përfshirë botën perëndimore që ju përmendët, është që çdo protestë është e lirë, por duke ruajtur ato rregulla dhe ligje që përcaktojnë mënyrën si protestohet,” u shpreh Malaj. Ai argumentoi se qyteti nuk mund të mbahet peng për interesat e një grupi të vogël njerëzish. “Ky qytet banohet nga qindra mijëra banorë dhe nuk ka të drejtë askush të marrë peng rrugët e qytetit. Të protestohet, patjetër, por me rregullat që i takojnë,” shtoi ai, duke pranuar se nuk i vjen mirë nëse qytetarët gjobiten, por theksoi se liria e çdo individi ka një limit.

Ina Zhupa iu përgjigj Malajt duke insistuar se e drejta për të protestuar është kushtetuese dhe se shteti nuk mund të caktojë vendin e protestës. “As ju vetë nuk i besoni këto që po thoni, sepse ju mjafton kultura juridike që keni për të kuptuar që e drejta për të protestuar është kushtetuese, për të kuptuar që është e drejta e tij të zgjedhë vetë vendin ku do të protestojë, dhe detyra e tij e vetme është të njoftojë ku do të protestojë që policia të marrë masa për të devijuar trafikun,” tha Zhupa. Ajo theksoi se qytetarët zgjedhin të protestojnë aty ku e shohin të arsyeshme, duke hedhur poshtë idenë e caktimit të vendeve specifike për protesta si sheshi Skënderbej.