Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi këtë të martë një mbledhje jashtë radhe ku u diskutuan pikat e rendit të ditës së mbledhjes së kaluar që nuk morën votat e nevojshme për tu miratuar.

  Filimisht Këshilli miratoi rendin e ditës, ndërsa më pas nisi shqyrtimi i pikave një e nga një. Fillimisht këshilli miratoi një shtesë në buxhetin e vitit 2024 për pagesë TVSH-je për projektet financiare të huaja ICTE dhe MAT-YESI, pas relatimit të drejtoreshës së financës Drita Tusha. Ndërsa më pas, këshilli diskutoi në lidhje me një ndryshim të kërkuar në paketën fiskale të këtij viti. Këshilltarët kërkuan informacion nga drejtori i zyrës Juridike, Eduart Abazi dhe pas shumë diskutimeve, kjo pikë u miratua nga këshilltarët prezent.

Për pikën e radhës në lidhje me programin e transparencës për Bashkinë Mat referoi drejtori i Burimeve Njerëzore, Gëzim Pasha, ndërsa këshilltarët e pranishëm e miratuan me të gjitha votat e nevojshme.

Pika e radhës ishte për dhënie dakortësie për vijimin e procedurave të heqjes nga fondi pyjor/kullosor public për “Aktivitetet minerar të shfrytëzimit të gurit gëlqerore për objektin “Qafë Kishë” për shoqërinë “Albstone 1” sh.p.k. pasi morën sqarimet e nevojshme nga drejtori i Shërbimit Pyjor dhe Bujqësisë, Agron Hastoçi, këshilli dha dakordësinë e tij. Në fund u diskutuan kërkesa të ndryshme nga qytetarët.