Shpallet fituesi i mirëmbajtjes së rrugës Skuraj - Peshkopi

Shpallet fituesi i mirëmbajtjes së rrugës Skuraj - Peshkopi

Pas anulimit të prokurimit të parë për lotin 2, kontrata B “mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të rajonit qëndror dhe verilindor”, në prokurimin e dytë është shpallur kompania fituese. Sipas të dhënave të publikuara në Agjensinë e Prokurimit Publik në garë kanë qenë katër kompani “Bami Holding” sh.p.k, “Alko Impex Construction” sh.p.k, “Arbotec” sh.p.k dhe “BE-IS” sh.p.k. Fitues i këtij prokurimi është shpallur kompania “Bami Holding” sh.p.k, në vlerën e 1 miliard e 90 milion lekë ose rreth 11 milion euro. Megjithëse në faqen zyrtare kjo kompani është shpallur fituese e këtij tenderi, ende nuk është lidhur kontrata mes palëve, që në rastin konkret është Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kompania fituese. Pas shpalljes së fituesit, kompanitë e tjera kanë të drejtën e ankimit dhe në fund vendoset përfundimisht se cila do të jetë kompania me të cilën do të lidhet kontrata dhe do t’i jepet mundësia për ta mirëmbajtur aksin nacional Skuraj - Peshkopi për një periudhë katërvjeçare.