Thellohet çarja në Rrugën e Arbrit në fshatin Plan i Bardhë, rrezikohet shembja e aksit
Reshjet e shirave të ditëve të fundit kanë përkeqësuar më tej situatën në Rrugën e Arbrit, në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos. Çarja në anën e poshtme të rrugës është thelluar, ndërsa rrëshqitja e tokës dhe e murit mbrojtës ka bërë që masa të mëdha inertesh të përfundojnë në tokat bujqësore të banorëve. Pavarësisht se problematika është bërë disa herë publike, deri më tani nuk është ndërhyrë për riparimin e dëmtimeve. Sipas banorëve, rrëshqitja ka nisur që me reshjet e vjeshtës së vitit të kaluar dhe ka vijuar edhe gjatë muajve të verës. Ata shprehen të shqetësuar se me shtimin e reshjeve të shiut, lëvizja e tokës mund të përshpejtohet, duke rrezikuar jo vetëm shembjen e një pjese të trasesë, por edhe bllokimin e qarkullimit në aksin kombëtar Tiranë–Dibër. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e terrenit dhe përforcimin e rrugës. Sipas tyre, në këtë segment duhej të ishin ndërtuar struktura mbajtëse, si pilotat, për të parandaluar rrëshqitjen e tokës dhe dëmtimin e mëtejshëm të trupit të rrugës. Problematika në Plan të Bardhë nuk është e vetmja në Rrugën e Arbrit. Reshjet e shumta të muajve të fundit kanë shkaktuar dëmtime edhe në segmente të tjera, veçanërisht në aksin nga tuneli i Murrizit deri te tuneli numër 2, në fshatin Shkallë të Xibrit. Ndërkohë, banorët e Planit të Bardhë paralajmërojnë se, nëse nuk ndërhyhet në kohë, rreziku do të prekë si infrastrukturën rrugore, ashtu edhe pronat bujqësore poshtë saj.