Britanikët “ndërrojnë mendje”! Sondazhi nxjerr rikthimin në BE në krye në 512 nga 632 zonat zgjedhore
Një sondazh i fundit është kthyer në dëshminë më të qartë të lëkundjes së britanikëve në raport me Brexit-in: Anketimi, i cituar nga The Guardian, tregon se katër në pesë zona elektorale në Mbretërinë e Bashkuar mbështesin tashmë rikthimin në Bashkimin Europian.Studimi nxjerr në pak një ndryshim të ndjeshëm të qasjes së opinionit publik që nga referendumi i vitit 2016. Nga 632 zonat elektorale të marra në analizë, 512 mbështesin rikthimin në BE, 73 preferojnë të qëndrojnë jashtë, ndërsa 47 janë të pavendosura. Konsiderohet veçanërisht domethënës fakti që edhe 274 nga 394 zonat që votuan për Brexit-in në vitin 2016 tani favorizojnë rikthimin. Mes tyre është edhe Makerfield, zona elektorale e kryeministrit Andy Burham, ku dy të tretat e votuesve kishin mbështetur largimin nga BE-ja. Sondazhi u realizua nga kompania Fortius Global, e themeluar nga Jim Messina, ish-këshilltar i sondazheve të Barack Obamës. Sipas përllogaritjeve, mbështetja për rikthimin në BE arrin në 58.3% në Angli, 68.9% në Skoci dhe 57.9% në Uells. Të dhënat tregojnë se edhe në zona të përfaqësuara nga ministra të kabinetit qeveritar po rritet mbështetja për rikthimin. Ndërkohë, kryeministri ka deklaruar se synon krijimin e marrëdhënieve sa më të ngushta të mundshme me Bashkimin Evropian. Deklarata vjen pas një marrëveshjeje të re për lëvizjen e të rinjve dhe eksportet ushqimore, të arritur në Bruksel. Burimi top channel