Ura e Zogut në Milot vijon të rrezikohet, punimet për restaurimin kanë ndaluar

Ura e Zogut në Milot vijon të rrezikohet, punimet për restaurimin kanë ndaluar

Ura e Zogut në Milot, një prej veprave më të veçanta të trashëgimisë historike dhe kulturore në vend, vijon të jetë në rrezik shembjeje. Edhe këtë dimër, monumenti mbi lumin Mat e gjen veten pa një ndërhyrje të plotë restauruese, ndërsa shtimi i prurjeve të lumit mund të përkeqësojë më tej dëmtimet në bazamentet mbajtëse të këmbëve të urës. Ndërtimi i një strukture mbrojtëse për njërën prej këmbëve, e cila ishte fundosur në shtratin e lumit, nuk ka arritur të garantojë qëndrueshmërinë e monumentit. Ndërkohë, edhe një tjetër këmbë në anën veriore është fundosur, duke shkaktuar deformime në trupin e urës. Pamjet tregojnë dëmtime të rënda në pjesën veriore dhe në harqet e saj, të cilat janë shkëputur nga njëri-tjetri, duke dobësuar më tej strukturën. Për shpëtimin e monumentit u miratua një fond prej 46 milionë lekësh, ndërsa punimet për ndërhyrjen në këmbën veriore nisën në muajin qershor. Projekti parashikonte përforcimin e kësaj këmbë, ngritjen e shtratit të urës dhe riparimin e pjesës së fundosur rreth 2.5 metra në shtratin e lumit. Megjithatë, deri më tani janë vendosur vetëm elementët metalikë mbajtës dhe në terren nuk po zhvillohen më punime. Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927, gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut, dhe ka statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë. E njohur për harqet e saj karakteristike, ajo ka qenë një nga lidhjet kryesore rrugore mes Shqipërisë së Mesme dhe Veriut. Sot, kjo vepër me rëndësi historike dhe arkitekturore kërkon ndërhyrje të plotë dhe urgjente, për të shmangur humbjen e një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.