Ekipi ynë i ftubollit “Burreli” ka zhvilluar këtë të mërkurë ndeshjen e fundit zyrtare të kampionatit të kategorisë së parë për sezonin 2023 – 2024. Matjanët priten në shtëpi ekipin e Apolonisë së Fierit, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 2 me 0. Pjesa e parë e takimit nuk prodhoi rezultat pasi asnjë nga aksionet e nisura nuk u finalizuan. Dy golat e kësaj ndeshje janë shënuar në pjesën e dytë me protagonist Farrukun. Ky i fundit e gjen rrjetën e portës fierake fillimisht në minutën e 63, teksa shfrytëzon saktë një krosim të ardhur nga e djathta e tij.

Miqtë tentojnë t’i afrohen portës vendase por nuk mund të depërtojnë deri në rrjetë. Në minutën e 74 është Kurbneshi i cili fiton një penallti pasi pengohet nga mbrojtja fierake në zonën e rreptësisë. Gjuatja e saj do t’i besohej Farrukut i cili nuk gabon dhe shënon golin e dytë e të fundit të këtij takimi.

Me këto episode mbyllet e gjithë loja, ndërsa Burreli e mbyll përfundimisht kampionatin në vendin e 8 në kuotën e 40 pikëve, duke siguruar përfundimisht qëndrimin në kategorinë e parë edhe për sezonin e ardhshëm. Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Kastrioti – Korabi 4 me 2, Tomori – Lushnja 0 me 2, Besa – Flamurtari 1 me 0 dhe Luzi Vogël 2008 – Vora 3 me 3.