Protestë e të rinjve në Burrel, disa nxënës të gjimnazeve të qytetit shoqërohen në Komisariat
Në ditën e katërt të protestës së të rinjve edhe të rinj gjimnazistë të qytetit të Burrelit janë konfrontuar me policinë. Rreth orës 9 e 30 minuta, disa nxënës të gjimnazit “28 Nëntori” kanë shrytëzuar pushimin e gjatë për të dalë në protestë si të rinjtë e Tiranës që janë në shesh prej katër ditësh. Po ashtu, protestës ju bashkuan edhe disa të rinj të gjimnazit “Pjetër Budi”, por procesi mësimor për asnjë moment nuk u cënua dhe vijoi normalisht në të dyja gjimnazet e Burrelit. Nxënësit që morën pjesë në protestë thyen në mënyrë simbolike një pemë dhe e dogjën atë në mes të rrugës. Në këtë moment, policia e cila po e vëzhgonte protestën nga fillimi nisi shoqërimet për dëmtim të pronës publike dhe bllokim të qarkullimit rrugor. Gjatë tentativës për të mos lejuar nxënësin të futej në furgonin e policisë, dera e tij u dëmtua. Më pas, të rinjtë e zhvendosën protestën në rrugët e qytetit drejt sheshit para godinës së Bashkisë Mat, por aty nuk qëndruan shumë dhe ju drejtuan Komisariatit të Policisë Mat duke kërkuar lirimin e të shoqëruarve. Edhe para këtij Komisariati pati përplasje verbale me policinë ku u shoqëruan disa të rinj, ndërsa në mbështetje të tyre ishin edhe qytetarë të tjerë si dhe deputetja Denisa Vata. Pasi u thirrën prindërit e të miturve ata u lanë të lirë dhe protesta u shpërnda.