Megjithëse jemi në vitin 2024, ka ende zona në të cilat qarkullimi i automjeteve është i pamundur sidomos në stinën e dimrit. E tillë është edhe lagjja “Duka” në fshatin Rripë të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit. Dhjetra banorë të kësaj lagjeje detyrohen që çdo gjë që ju nevojitet, që e blejnë në treg, ta transportojnë me kafshë ngarkese nga rruga kryesore e njësisë Gurrë deri tek banesat e tyre. Kjo për arsye se rruga e lagjes nuk funksionon në këtë stinë për shkak se nuk është investuar siç duhet nga pushteti vendor, pasi zhavori në rrugë ua vështirëson qarkullimin. Jashtë kameras banorët shprehen se me këtë situatë përballen prej shumë vitesh dhe marrin premtime që asnjë nga të zgjedhurit vendor nuk i mban.

Për këtë problem kontaktuam edhe me përfaqësues të Bashkisë Klos, të cilët u shprehën se në këtë rrugë do të ndërhyhet shumë shpejt, falë projektit të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me lëndë të parë, ku do të ndërhyhet në segmentet e vështira malore përfshirë edhe në në lagjen “Duka” në Rripë, deri në qendër të fshatit. Ky investim do të bëjë që dhe qarkullimi i mjeteve të lehtësohet.