Bulqizë, banorët e Çerenecit të Sipërm në protestë për energjinë elektrike
Banorët e fshatit Çerenec i Sipërm në Njësinë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës kanë dalë në protestë për energjinë elektrike. Rrjeti tejet i amortizuar ka bërë që banorët të pësojnë humbje të mëdha nga djegia e pajisjeve elektro-shtëpiake. Banorët ankohen se prej elektrifikimit në fshatin e tyre nuk është bërë asnjë investim dhe se rrjeti përcjellës është totalisht i amortizuar. Kërkesat e tyre tek OSHEE deri tani sipas banorëve nuk janë marrë parasysh, duke bërë që të vazhdojnë të vuajnë mungesën e enegjisë në banesat e tyre. Rrjeti i amortizuar bën që rryma të mos jetë e mjaftueshme për të përballuar pajisjet elektroshtëpiake, ndaj banorët kërkojnë që të investohet me kabull elektrik të përshtatshëm si në zona të tjera. Banorët e revoltuar kërcënojnë me bojkot të zgjedhjeve lokale nëse problemi me energjinë elektrike nuk do të zgjidhet edhe këtë dimër. Veç shtyllave të dëmtuara dhe të amortizuara, telat përcjellës bëjnë kontakt me pemët çka sjell pasoja në djegien e pajisjeve elektroshtëpiake të banorëve.