Shtushaj, fshati që i kanë ikur 90% e banorëve

Shtushaj, fshati që i kanë ikur 90% e banorëve

Pak më shumë se 30 vite më parë, në fshatin Shtushaj të Njësisë Administrative Shupenzë, në Bashkinë e Bulqizës, jetonin plot 82 familje. Por, pas shembjes së regjimit monist, edhe në këtë fshat nisi largimi i tyre, saqë në ditët e sotme numri i banorëve të larguar është i frikshëm, teksa fshatit i mungojnë rreth 90% e familjeve. I vetmi banor që gjejmë në fshat është Zabit Jakimi. Ai thotë se fshatit i janë larguar një pjesë drastike e banorëve, teksa ata që kanë mbetur janë vetëm mosha e tretë. Një fenomen që, sipas tij, ka ndikuar në largimin e banorëve është edhe mungesa e investimeve. Rruga është asfaltuar vitet e fundit, kur banorët ikën, ndërsa fshati vuan ende për ujë të pijshëm. Zabiti tregon se është një nga emigrantët e rikthyer, por që nuk shpreson që të tjerët të rikthehen më. Mungesën e banorëve e tregon edhe toka bujqësore, e cila është lënë djerrë thuajse e gjitha.