Bie ndjeshëm sipërfaqja e kultivuar me grurë në Mat, fermerët hezitojnë
Edhe këtë vit sipërfaqja e tokës bujqësore e kultivuar me grurë në të gjithë Matin ka pësuar rënie. Burime bëjnë me dije se nga 5 vite më parë, sipërfaqja ka rënë në rreth 30%. Nga një vëzhgim i bërë në zona të ndryshme të Matit vihet re se sipërfaqja e tokës së punuar në këtë periudhë që korrespondon edhe me nisjen e sezonit të mbjelljes së grurit, është jashtëzakonisht e vogël. Banorët e zonave rurale renditin një sërë faktorësh që kanë degdisur bujqësisë në këtë formë. Jashtë kameras ata shprehen se kostoja e proceseve deri në prodhim është shumë më e lartë se çmimi I grurit në treg. Nafta e shtrenjtë, proceset e punimit, farërat e shërbimet e tjera e bëjnë të pamundur përballimin e kostove nga ana e fermerëve të thjeshtë. Po ashtu, tjetër arsye që renditin fermerët është edhe skema mbështetëse e aplikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndryshe nga vitet e kaluara, skema e këtij viti për përfitimin e subvencionimit të naftës është përjashtuese për shkak të rritjes së sipërfaqes dhe mungesës së çertifikatave të pronësisë së tokës bujqësore. Burime pranë Ekstensionit Bujqësor thanë për Mat Televizion se banorët e zonëve rurale kanë ardhur duke e ulur ndjeshëm sipërfaqen e tokës bujqësore të kultivuar me grurë. Këtë e konfirmojnë edhe pikat e shitjes së farës së grurit në Burrel por edhe në Klos.