Mbeturinat në flakë edhe pse bie shi vazhdimisht
As shirat e Nëntorit nuk e kanë fikur zjarrin që djeg prej më shumë se 45 ditësh mbeturinat e venddepozitimit të Bashkive Klos e Bulqizës mbi fshatin Plan i Bardhë. Ndonëse ditët e fundit reshjet e shiut kanë qenë intensive, flakët vijojnë të djegin mbetjet plastike të grumbulluara ndër vite në fushën e venddepozitimit mbi fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë së Klosit. Gjatë një vëzhgimi të bërë këtë të hënë me kameran tonë vihet re se brenda fushës së mbetjeve janë disa vatra zjarri që vijojnë të djegin plastikën e akumuluar si rezultat i hedhjes së mbeturinave nga dy institucionet e pushtetit vendor që e kanë si pikë të përbashkët. Ndërkohë, për ekspertët e mjedisit kjo djegie e mbeturinave është e rrezikshme për shkak se nga flakët çlirohen elemente të dëmshme për shëndetin. Ato mund të përhapen nga era e fortë që fryn në këtë zonë dhe nga ujërat e shiut që rrjedhin mbi tokë gjatë ditëve me reshje. Specialistët e mjedisit kërkojnë që të ndërhyhet dhe të fiken të gjitha vatrat e zjarrit që vijojnë të jenë aktive dhe të digjen në thellësi, në mënyrë që ndotja mjedisore të ndalet e të minimizohet sa më shumë dëmi që shkakton.