22 Prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Tokës e vendosur më shumë se 42 vite më parë, si një nismë për të mbrojtur klimën globale. Në këtë marrëveshje janë më shumë se 193 vende të botës mes tyre edhe Shqipëria.

Por, ndonëse ka një rëndësi kaq të madhe, aktivitetet sensibilizuese janë të pakta, për të mos thënë që mungojnë në bazë.

Gjatë ditës së sotme nuk u zhvillua asnjë aktivitet publik në mbrojtje të tokës në të gjithë Qarkun Dibër. Ndërkohë, ekspertët vijojnë të ngrejnë alamin për masivet pyjore të cilat që prej viteve 90-të në vendin tonë po shkatërrohen nga dora e njeriut, ose nga neglizhenca e tij për t’i mbrojtur ato nga sëmundjet.

Zjarret e qëllimshme apo prerjet e paligjshme janë dy nga faktorët që masivet pyjore në vendin tonë po vazhdojnë të shkatërrohen. Po ashtu, ripyllëzimet masive mungojnë, duke përjashtuar nismën e këtij viti, ku qeveria i ka dhënë prioritet ripyllëzimit në nivel kombëtar nëpërmjet pushtetit vendor.

Një tjetër problem mbetet edhe ndotja e mjedisit kryesisht nga hedhja pa kriter e mbeturinave plastike në zona banimi e shtrate lumenjsh e përrenjsh. Sensibilizimet tona mediatike për ndotjet e shkaktuara buzë këtyre ujërave e që përfundojnë në liqenin e Ulzës, janë të panumërta.