Heqja e transportit me furgon, ka bërë që 25 nxënës të fshatit Zabosh, në Ostren të Madh të Bulqizës, prej tre ditësh të braktisin shkollën. Prinder dhe nxënës janë njoftuar nga drejtoria e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Elez Koçi”, që të marrin masa vetë për të shkuar në shkollë se mjeti i transportit që ekzistonte prej 5 vitesh ishte hequr. Nisur nga distanca e madhe e fshatit me shkollën, prindërit shprehen të revoltuar për këtë veprim pasi fshati i tyre është 5 kilometra larg qendrës anministrative ku ndodhet dhe shkolla, e ndërsa fëmijët janë të klasave fillore.

   Nga ana tjetër, Drejtori i Shkollës së Mesme të Bashkuar “Elez Koçi” në Ostren të Madh, Çlirim Muça, u shpreh se është vendimi i këshillit të Ministrave ai që përjashton mbulimin e shpenzimeve, nëse nxënësit që kanë shkollë pranë qendrës së banimit por zgjedhin të shkojnë në një shkollë tjetër, nuk përfitojnë mbulimin e shpenzimeve.

Edhe Zyra Vendore Arsimore Bulqizë pohon përmes përfaqësuesve të saj se vendimi për heqjen e shpenzimeve të transportit të këtyre nxënësve është marrë duke u bazuar tek vendimi i këshillit të Ministrave.