Si në mesjetë, banorët e lagjes “Meta” në Shkallë të Xibrit përdorin urë të improvizuar

Si në mesjetë, banorët e lagjes “Meta” në Shkallë të Xibrit përdorin urë të improvizuar

Megjithëse rruga e Arbrit kalon vetëm pak metra larg banesave të tyre, banorët e lagjes “Meta” në fshatin Shkallë të Xibrit rrezikojnë jetën sa herë kalojnë zallin e Murrizes dhe përroin që zbret nga Guri i Bardhë. Ura mbi zallin e Murrizes është ndërtuar vetëm pak muaj më parë, ndërsa tjetra është improvizuar nga vetë banorët. Sipas tyre, sa herë bie shi, përroi fryhet dhe e bën kalimin mbi këtë urë shumë të rrezikshëm. Hysni Musta thotë se, edhe pse u është premtuar disa herë ndërtimi i urës, ajo nuk është realizuar. Kështu, kur ka reshje shiu, banorët detyrohen ose të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, ose të rrezikojnë jetën mbi urën e improvizuar. Banorët e lagjes “Meta” kanë kërkuar vazhdimisht ndërtimin e kësaj ure, por kërkesa e tyre nuk është plotësuar deri tani, as nga Bashkia Klos dhe as nga firma që ndërtoi rrugën e Arbrit, e cila ua kishte premtuar.