Kalaja e Petralbës, e cila ndodhet midis fshatrave Petralbë të Gurit të Bardhë, Shkallë të Xibrit dhe Fshat të Klosit, është ndër objektet më të rëndësishme historike të Matit. E shpallur monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1973, ajo përbën një atraksion të rëndësishëm turistik. Por rruga për deri tek kjo kala është thuajse e mbyllur nga shkurret dhe nuk ka asnjë shenjë të dukshme për turistët. Por një fenomen tjetër shihet në brendësi të kalasë.

 Gropat e hapura në disa vende në brendësi të kalasë janë të reja dhe dyshohet se veprimet janë bërë vitet e fundit për shkak se dheu i nxjerrë ende nuk është tharë.

Gërmimi pa kriter i gjuetarëve të thesareve mund të rrezikojë pjesët e paprishura të kalasë, të cilat janë shumë të rëndësishme për vizitorët por jo vetëm kaq, ato janë historia e gjallë e kësaj kalaje që është përdorur edhe si rezidencë e familjes së Kastriotëve, e madje disa të dhëna historike tregojnë se pikërisht në këtë kala, ka lindur Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Intelektualë e banorët të zonës kërkojnë që Institucionet të ndërhyjnë para se të jetë vonë, pasi nëse do të ketë një rikthim të dytë të gjuetarëve të thesareve, dëmi mund të jetë akoma më i madh e gati i pa rikuperueshëm.