Vendosja e kufijve me Maqedoninë e Veriut pas Luftës së Parë ballkanike, la në shtetin fqinj qindra hektarë tokë prona të shqiptarëve që sot banojnë në fshatin Kllobçishtit të Maqellarës. Me gjithë tentativat e tyre, asnjëherë në këto 8 dekada nuk u bë e mundur që atyre t’ju njiheshin si prona, ndërsa sot gëzohen e punohen nga shqiptarë matanë kufirit. Zudi Upaleni, banor i fshatit Sollokiç, thotë se nuk di të thotë se si kanë mbetur këto prona në anën maqedonase, ndërsa është në dijeni se shumë shqiptarë të Shqipërisë së sotme kanë prona aty. Ai vetë na thotë se këto janë toka të marra me qera për t’i shfrytëzuar dhe nuk e di si duhet historikun e tyre.

Niazi Sallaj, që aktualisht jeton në fshatin Kllobçisht të Maqellarës, thotë se të gjitha pronat e familjes së tij i ka matanë kufirit. Ai vetë shprehet se këtu nuk ka prona, pasi i kanë mbetur brenda kufirit territorial të Maqedonisë së Veriut dhe e ka në emrin e gjyshit në regjistrat maqedonas.

Janë shumë banorë të fshatrave të Maqellarës që pretendojnë se kanë prona të paraardhësve të tyre në shtetin fqinj. Me gjithë tentativat për t’i marrë si prona nga Maqedonia e Veriut, kjo e fundit asnjëherë nuk e ka lejuar një gjë të tillë.