Pas disa ditësh reshje shirash dhe mosshfrytëzimit pakriter nga ana e privatizuesit të Hidrocentralit të Ulzës, niveli i ujit në liqen ka arritur kotën maksimale. Pak javë më parë niveli i liqenit kishte rënë deri në fshatin Ndrelalaj, ndërsa tashmë ai ka arritur në fshatrat rrethe – Baz dhe Urakë të Bashkisë së Matit.
Për Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit Ulëz, rritja e nivelit të liqenit, do t’i japë mundësinë shtimit natyral të peshkut. Kryetari i kësaj organizate, Gjon Rica thotë se nëse do të ruhet kjo kuotë, atëherë prodhimi do të jetë i madh si para 40 vitesh. Ai i bëri apel firmës KURUM që ta ruajë këtë kuotë të paktën deri në fillim të muajit Qershor.
Nga ana tjetër, Rica tha se po punohet fort edhe për ndalimin e gjuetisë me çdo lloj mjeti gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, po bëshkëpunohet me policinë e shtetit dhe po bëhen kontrolle të befasishme në të gjithë liqenin, përfshirë edhe atë të Shkopetit.
Vitet e fundit shfrytëzimi në maksimum i liqenit nga ana e HEC-it Ulëz, ka bërë që të mos ketë shtim natyral të Peshkut, duke dëmtuar rëndë këtë sektor në Mat.