Prej 1 muaji vijon të digjen mbeturinat e fushës së mbetjeve mbi fshatin Plan i Bardhë
Venddepozitimi i mbetjeve të Bashkive Bulqizë e Klos që ndodhet mbi fshatin Plan i Bardhë, vijon të digjet që prej një muaji. Flakët kanë nisur që prej datës 1 Tetor, që edhe pse ka pasur ditë me reshjegjatë këtij muaji, ato ende nuk janë fikur. Situata më shqetësuese bëhet gjatë natës kur vijojnë të hidhen mbeturina të tjera nga të dyja bashkitë. Ndërhyrjet e bëra nga të dyja institucionet e qeverisjes vendore me mjete zjarrfikëse kanë qenë të paefektshme për shkak se nuk kanë mundur ta shuajnë plotësisht zjarrin. Kjo ka bërë që zjarri të vazhdojë të djegë mbetje plastike të akumuluara aty ndër vite. Jashtë kameras, banorët kërkojnë që kjo dituatë të zgjidhet përfundimisht, pasi siç thonë ata, po helmohen nga kimikatet që çlirohen si rezultat i djegies së mbetjeve plastike në fushën e depozitimit që ndodhet mbi fshatin e tyre. Po ashtu, banorët e zonës shprehen se djegia e vazhdueshme e mbeturinave mbi fshatin Plani i Bardhë rrezikon të kontaminojë edhe ujërat nëntokësore që burojnë në këtë zonë.