Emigranti i pastrehë në Bulqizë, reagon Shërbimi Social pas lajmit në “Mat TV”

Emigranti i pastrehë në Bulqizë, reagon Shërbimi Social pas lajmit në “Mat TV”

Menjëherë pas transmetimit të lajmit në “Mat Televizion”, më 27 tetor 2026, mbi gjendjen e një emigranti të pastrehë në Bulqizë, kanë reaguar institucionet përgjegjëse pranë Bashkisë së këtij qyteti. Punonjës të Drejtorisë së Shërbimit Social kanë inspektuar strehën e improvizuar ku qëndronte personi, pranë rrugës që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës. Megjithatë, gjatë verifikimit, ai nuk është gjetur, pasi, sipas informacionit të përcjellë, u është shmangur punonjësve të Shërbimit social. Në këto kushte, punonjësit kanë kërkuar ndihmën e Komisariatit të Policisë Bulqizë. Ky institucion ka vënë në dijeni Policinë Kufitare, e cila është lidhur me Ambasadën e Spanjës në Tiranë, për të kërkuar informacion dhe bashkëpunim lidhur me rastin. Sipas informacionit të bërë të ditur, Ambasada spanjolle është përgjigjur se nuk mund të ndërhyjë pa pasur një kërkesë apo indicie konkrete për ndihmë nga shtetas spanjollë. Ndërkohë, Policia e Shtetit pritet të ndjekë procedurat përkatëse, ndërsa, sipas informacionit të përcjellë, po pritet plotësimi i afatit 90-ditor të qëndrimit, pas të cilit parashikohet deportimi i personit drejt vendit të origjinës. Rasti u bë publik nga “Mat Televizion”, duke vënë në vëmendje kushtet e vështira në të cilat jeton ky person dhe nevojën për verifikimin e statusit të tij, si dhe vlerësimin e mundësive për ndihmë sociale dhe strehim.