Urdhëri i Ramës zbret deri në bazë, japin dorëheqjen drejtorët e institucioneve qëndrore në nivel vendor
Urdhëri i Kryeministrit Edi Rama i dhënë të enjten ministrave për t’ju kërkuar dorëheqje drejtorëve nën varësi, ka zbritur deri në bazë. Burime për “Mat Televizion” bëjnë me dije se vala e dorëheqjeve ka përfshirë edhe institucionet qëndrore në nivel vendor në qarkun Dibër. Deri tani mësohet se kanë firmosur dorëheqjen drejtuesit e OSHEE, UKD, ISSH, IKMT, OSSH, ASHKD, POSTA SHQIPTARE, DRPSHTRR etj. Mësohet se të gjithë drejtuesve të institucioneve qëndrore në nivel vendor ju ka ardhur formati i kërkesës së dorëheqjes nga institucionet nga të cilët varen dhe ata i kanë firmosur në zyrat e tyre. Ata do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi nga Ministria e Administratës, me në krye Adea Pirdeni, dhe më pas e njëjta ministri do të vendosë nëse do të vijojnë detyrën apo do të largohen përfundimisht nga posti. Sipas informacioneve, plotësimi i posteve vakante do të bëhet gjithashtu nëpërmjet një procesi testimi, ku në krye të institucioneve do të përzgjidhen personat me kriteret më të larta, bazuar në meritokraci. Kujtojmë se një kërkesë e ngjashmepër dorëheqje e Kryeministrit Rama është bërë në Korrik të vitit të kaluar drejtuar të gjitha bashkive të vendit, ku u kërkua shkarkimi i zv/kryetarëve dhe drejtorëve, por ky proces u bë pjesërisht.