Studenti i Mjekësisë, J.S., kundërshton Ramën: "Kam mesatare 10.0, nuk kam precedentë penalë!"

Studenti i Mjekësisë, J.S., kundërshton Ramën: "Kam mesatare 10.0, nuk kam precedentë penalë!"

Joni Sinoymeri, një student 20-vjeçar i Mjekësisë, ka dalë publikisht duke u vetëidentifikuar si personi me inicialet J.S. të cilin Kryeministri Edi Rama e publikoi sot me foto, duke e paraqitur si një individ me precedent penalë për "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike". Sinoymeri ishte pjesë e protestës së studentëve para Kryeministrisë këtë të premte.

Gjatë protestës, studenti, i cili fillimisht mbante një maskë kirurgjikale, e hoqi atë para kamerave, duke deklaruar me vendosmëri: "Jam ky këtu", në referencë të fotos së postuar nga kryeministri me mbishkrimin "Student? Jo!".

Sinoymeri kundërshtoi fuqishëm paraqitjen publike që i është bërë, duke theksuar se është student i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë dhe se ka një mesatare të shkëlqyer 10.0. "Më ka akuzuar mua për precedent penalë, për prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Shikojeni në foto të gjithë, se nuk kam asnjë lloj turpi. Unë jam student i Universitetit të Mjekësisë, e kam të shkruajtur këtu. Nuk ka asnjë lloj legjende me mbret shpik ky. Meqë ka dashur të na cënonte, na ka quajtur organizata Antifa, neokomunista. Dua të tregoj edhe të gjitha notat që kam marrë, me mesatare 10:00. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra", tha ai.

20-vjeçari rrëfeu gjithashtu se ishte shoqëruar në polici të martën e kaluar, ku u mbajt për rreth 7 orë e gjysmë, para se të lirohej. I pyetur nëse do të bëjë denoncim ligjor, Sinoymeri u shpreh me rezerva: "Nuk e di a do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë. Te kush ta denoncoj?".