Një “emigrant” i pastrehë në Bulqizë, banorët ngrenë shqetësimin për mungesën e ndihmës sociale
Prej mëse 2 muajsh në afërsi të terminalit të Bulqizës, mes dy lagjeve të qytetit, jeton një person i strehuar në një kontenier rimorkjo automjeti e përshtatur si banesë e lëvizshme, e vendosur sipër pusetës së ujërave të zeza. Sipas banorëve të zonës, ky person, rreth të 35-ave, jeton këtu në kushte mizerable, në skamje e varfëri. Ato thonë se është emigrant nga Spanja. Ai qëndron këtu i mbyllur duke shkruar mbi letra mes të cilave gjen thënie mbi psikiatrinë dhe parapsikologjinë. Në një letrat e shkruara prej tij gjejmë këto shprehje: “Bashkimi i dy botëve nuk ka lidhje me psikiatrinë apo parapsikologjinë”. Teksa i afrohet kamera jonë, personi në fjalë shmanget menjëherë dhe largohet nga vendi ku jeton. Askush nuk të thotë më shumë për identitetin e tij. Gazetari ynë u interesua edhe pranë Shërbimit Social të Bashkisë Bulqizë, por për to ky rast nuk ishte i njohur, pavarësisht se kjo strehë e tij është mëse e dukshme buzë rrugës kryesore që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës. Deri më tani, nuk ka informacion të konfirmuar nëse personi është i identifikuar nga Policia dhe nëse disponon dokumentacionin e nevojshëm të qëndrimit në vend. Përtej paqartësive mbi identitetin dhe prejardhjen e tij, kushtet e jetesës ngrenë shqetësimin për nevojën e një ndërhyrjeje sociale dhe humanitare. Me afrimin e dimrit, që në Bulqizë është i ashpër, qëndrimi në një strehë të tillë mund ta ekspozojë personin ndaj të ftohtit dhe rreziqeve të tjera për jetën. Autoritetet vendore dhe shërbimet përkatëse sociale pritet të verifikojnë rastin, të vlerësojnë nevojat e tij dhe, nëse konfirmohet se ka nevojë për ndihmë, të marrin masa për strehim dhe mbështetje. Rasti në Bulqizë rikthen vëmendjen te personat në kushte të rënda sociale, të cilët mund të mbeten jashtë vëmendjes institucionale edhe kur gjenden në hapësira publike.