Banorët e zonës së Gollobordës janë në pritje të nisjes së punimeve për rehabilitimin e segmentit rrugor Ura e Çerenecit – Zgosht, një investim ky i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por edhe pse tabela për këtë investim është vendosur më shumë se një muaj më parë, banorët shprehen se nuk shohin askund që të punohet. Vetë banorët tregojnë se vijojnë të ndjehen të diskriminuar pasi nuk është bërë asnjë investim për zonën e tyre. Rruga është lënë në mëshirë të fatit ndërsa vendosjen e tabelës e konsiderojnë thjeshtë si një reklamë të momentit nga institucionet shtetërore. Nga ana tjetër, banorët shprehen se asfaltimi i kësaj rruge është premtuar prej 10 vitesh, ndërsa qeveritarët vendor e qëndror e përdorin vetëm si premtim elektoral e më pas nuk ndryshon asgjë.

Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Zgosht të Librazhdit ka një gjatësi prej 47 kilometrash dhe lidh Qarkun Dibër me atë të Elbasanit.