Pas përfundimit të hedhjes së shtresës së dytë asfaltike nga rrethrrotullimi i fshatit Fshat deri në fshatin Shkallë të Xibrit, firma që po ndërton rrugën e Arbrit ka nisur punën për hedhjen e shtresës së fundit asfaltike në drejtim të Bulqizës.
Për 7 ditë me radhë, të gjithë ata që do të lëvizin në drejtim të Dibrës, Bulqizës apo Maqedonisë së Veriut do të duhet të përdorin aksin e vjetër nga fshati Fshat në drejtim të Qafës së Buallit dhe anasjelltas.
Kjo për shkak se në rrugë do të jetë një fluks i lartë mjetesh që do të bëjnë hedhjen dhe shtrimin e asfaltit që ka nisur nga hyrja e tunelit të Qafës së Buallit dhe vijon në drejtim të Urës së Vashës.
Vetë firma ka njoftuar në faqen e saj zyrtare që në data 26 Prill deri me 3 Maj, kalimi i mjeteve drejt Bulqizës do të bëhet përmes aksit të vjetër që nis nga fshati Fshat.
Pas përfundimit të këtij segmenti, e njëjta gjë pritet të bëhet edhe me segmentet e tjera të papërfunduara ende në Xibër dhe në anën e Tiranës që nga “Shkalla e Tujanit”.