Qaf Buall – Krastë rruga mbushet me gropa edhe pse u harxhuan 11 milion euro
Rruga Qaf Buall – Krastë e Martaneshit mbetet ende një projekt i papërfunduar. Edhe pse në këtë rrugë janë investuar 11 milion euro dhe ajo duhej të ishte asfaltuar, gjendja është kjo që shihet në pamje. Reshjet e fundit të shirave kanë nxjerrë në pah probleme të mëdha të kësaj rruge me gjatëse 16.5 kilometra, teksa gropa të shumta janë në të gjithë gjatësinë e saj. ARRESH ka hapur një tjetër tender për plotësimin e punimeve në këtë rrugë që është në vlerën po aq sa tenderi i parë, pra 11 milion euro të tjera. Megjithatë, për tenderin e dytë zyrtarisht nuk ka fitues teksa një nga fituesit mund të jenë bashkimi i kompanive “BE-IS” sh.pk, “ERGI” sh.p.k dhe “VËLLEZËRIT HYSA” sh.p.k të cilët zbatuan projektin e parë. Rruga duhej të ishte asfaltuar më shumë se një vit më parë, por ende nuk është realizuar pasi pritet që të shpallet fituesi i projektit “Plotësimi i punimeve rruga Qafa e Buallit – Martanesh”. Gjithashtu kjo rrugë merr para edhe për mirëmbajtje edhe pse aktualisht është në proces tenderimi për asfaltimin e saj. Kompania “UDHA” sh.p.k do të vazhdojë të mirëmbajë këtë rrugë.