ARRSH hap tender për studimin dhe projektimin e rrugës Ura e Matit – Rrëshen
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rikthyer vëmendjen ndaj rrugës nacionale Ura e Matit – Rrëshen, teksa ka hapur një procedurë për “Studim projektim për rehabilitimin e rrugës Burrel – Rrëshen”. Tenderi është hedhur në prokurimet publike me datë 30 Shtator dhe është mbyllur vetëm një ditë më parë. Tashmë pritet vlerësimi i oferta dhe shpallja e studios fituese për studimin dhe projektimin e rehabilimit të kësaj rruge. Vlera e tenderuar për këtë proces është rreth 9.3 milion lekë të rinj ose rreth 102 mijë euro. Cilado qoftë kompania që do të bëjë studim-projektimin e investimit që pritet të bëhet më pas, do t’i duhen 6 muaj që nga nënshkrimi i kontratës. Pra, nëse kontrata lidhet brenda këtyre ditëve, kompania është e detyruar të dorëzojë projektin në ARRSH brenda muajit Mars të vitit të ardhshëm. Deri në momentin e investimit aksi nacional Ura e Matit – Rrëshen do të jetë në proces mirëmbajtje siç ka qenë që nga periudha kur kjo rrugë u fut nën inventarin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.