Vlera minimale e pensionit në vendin tonë ka raste që është më pak se një ndihmë sociale. Të gjithë ata që kanë punuar para viteve 90-të në kooperativën bujqësore nuk janë të kënaqur me masën e pensionit që ju ka dalë.   Por më problem është për ata të cilët nuk kanë arritur t’i mbledhin të gjitha vitet e punës. 80-vjeçari Rushan Skura, nga fshati Brezhdan i Njësisë Administrative Tomin në Dibër, thotë se merr pension vetëm 5 mijë lekë të rinj, kjo sipas tij, pasi janë djegur dokumentet në zyrat e sigurimeve shoqërore.

Nga ana tjetër, Rushani thotë se nuk ka patur mundësi ekonomike për të marrë me gjykatë vitet e humbura, ndaj dhe i ka mbetur kjo masë pensioni. Ai shton se me aq para që merr nuk mund të blejë asgjë.

Rushan Skura kërkon nga shteti që të rritet masa e pensionit minimal pasi kjo vlerë që është aktualisht e papërfillshme.