Gërmimet e bëra në territorin e Kalasë së Petralbës, monument kulture i kategorisë së parë, kanë bërë që policia të nisë verifikimin e rastit. Ndonëse duhej të ishte Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës Tiranë që ka në varësi Qarkun Dibër, ajo që të kërkonte hetimin e rastit, burimet tona mësojnë se verifikimi ka nisur duke u marrë si referencë kronika e transmetuar në “Mat Televizon” pak ditë më parë.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë asnjë informacion që në këtë objekt të jetë nisur ndonjë punë për kërkim arkeologjik, duke bërë që version më i mundshëm të jetë ai për kërkim të sendeve me vlerë nga ata që e quajnë veten “Gjuetar thesaresh”.

Objektet historike, siç janë kalatë, janë targetimi më i zakonshëm i këtyre personave që janë kthyer në një fenomen edhe në vendin tonë. Ndonëse puna e tyre është totalisht e jashtligjshme, dëmi që shkaktojnë në objektet historike është shumë i madh, gati i parikuperueshëm.

Nisur nga ky rast, specialistët e historisë dhe trashëgimisë kulturore, kërkojnë vëmendje më të shtuar ndaj këtyre objekteve nga të gjitha institucionet përkatëse.