Mbushja e gropave me asfalt në aksin nacional Skuraj – Burrel ka zgjidhur në mënyrë provizore problemin e gropave që gjendeshin në këtë aks rrugor prej 36 kilometrash. Por për drejtuesit e mjeteve, mbushja e gropave nuk është zgjidhje afatgjatë pasi shumë shpejt asfalti i hedhur dëmtohet dhe rikthehen gropat si më parë. Nga ana tjetër, drejtuesit e automjeteve shprehen se i gjithë aksi rrugor ka nevojë për një rehabilitim të plotë në mënyrë që t’i jepet zgjidhje përfundimtare gangrenës së krijuar prej vitesh në këtë rrugë shumë të rëndësishme për verilindjen e cila lidh Qarkun Dibër e Maqedoninë e Veriut me veriun e vendit tonë dhe Kosovën. Mbushja e gropave ka nisur nga Skurajt në drejtim të Burrelit ku firma mirëmbajtëse po bën hedhjen e asfaltit aty ku e sheh të arsyeshme, por për drejtuesit e mjeteve kjo metodë është jashtë standarteve.

Deri tani ndërhyrje e mirëfilltë me të gjitha nënshtresat e rrugës është bërë në disa pika ku ka patur dëmtimin më të madh, ndërsa ekspertët rrugor janë të mëndimit që ndërhyrja duhet bërë e plotë.