Viti ka shumë ditë. Ndërmjet ditëve të mia, 20 tetori i vitit 1999, është për t’u shënuar. Historiku i asaj dite, pa iu referuar kalendarit enciklopedik, është ngjarje jo e thjeshtë, që ka lidhje dhe me mua. Atë vit u ndjeva i privilegjuar, pasi mik m’u shtua ekrani i Mat TV-së. Në këtë stacion të ri televiziv nisa rrugëtimin e gazetarit, të një prej profesioneve të dashur, por të vështirë, me një eksperiencë relativisht të pakët. Impresionet, kujtimet dhe mbresat që kam nga puna në Mat Tv janë një libër më vete.

Mat Televizion! Një dyfjalësh i bukur, emocionues, drithërues, i cili më ka mbërthyer para ekranit të vogël. 25-vjetori i tij është rast i mirë për t’i hedhur një shikim punës së bërë dhe për të identifikuar sfidat e reja.

Për herë të parë, më 10 shtator 1998, në Burrel dhe fshatra të Matit u përhap sinjali i ri televiziv. Ishte e papritura më e këndshme. Pati njerëz që besuan, siç pati dhe mosbesues. Pavarësisht nga vështirësitë, një grup i zgjedhur specialistësh i dhanë zë e figurë ekranit të vetëm televiziv, i pagëzuar me emrin “Mat Tv”. Krijesa e re u regjistrua në gjendjen civile të kohës. Për herë të parë në krahinën e Matit nisiativa e vëllezërve Luftim dhe Afrim Vani, këmbëngulja dhe sakrifica e bërë nga regjisori Shemsi Sulaj, kameramani Engjëll Mulellari, përgjegjësi i transmetimit Arjan Zeneli dhe folësja Mira Hasula, i dhanë jetë zhvillimit të mediave private.

Puna ime ka qenë me përgjegjësi: gazetar, përgatitje emisionesh dhe redaktor përgjegjës. E ndjeja veten të kënaqur, se me kalimin e kohës arrita të ecja përpara, duke menduar gjithmonë se shërbimi në Mat Tv kërkonte pasion dhe punë. Për punë të tilla, vërtet kërkohet shumë talent, por motoja e punës ka qenë: “Punë, punë e vazhdueshme”.

Kujtime të shumta më lidhin me Mat Tv. E kujtoj mirë fillimin e punës, kronikën e parë dhe gjithçka tjetër. Përgatitja dhe transmetimi i telereportazhit tim të parë “Një emër drite”, kushtuar hidrocentralit të Ulzës, i pari mbi lumin e Matit, mbetet i paharruar. E kam parë me shumë emocion. Ditën e transmetimit ndjeva kënaqësi dhe m’u shtua siguria e besimi në vetvete. Më pas kam përgatitur shumë kronika, emisione televizive dhe telereportazhe. Prej tyre veçoj emisionin “Fundjavë”, me drejtueset Dafina Hysa e Suada Cënuka dhe telereportazhin “Varret tona janë këtu”, kushtuar ceremonisë mortore që Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Politikë organizoi më 8 tetor 2000 në fshatin Macukull për rivarrimin e eshtrave të Bilal Kolës me vëllezërit Adem, Shemsi e Halit Kola, djemtë Gani, Hamit dhe nipat Hysni e Ferit Kurti. Mbresëlënës për mua kanë qenë telereportazhet nga fshati Mazgit i komunës së Obiliqit në Kosovë, kushtuar përkujtimores së dëshmorit të lirisë, Ferit Esat Curri, organizuar nga këshilli komunal i Obiliqit, si dhe ai nga Prekazi, kushtuar legjendarit kosovar, Adem Jashari. Akoma më duket se folësja Ajnishahe Shala nuk lodhet së treguari për ata që vizitojnë kullën me flamur në Prekaz. Vazhdoj të them se Mat Tv ndjehet krenar që u solli shikuesve të vet faqe të tilla të ndritura heroizmi. “40 vjet shkollë e mesme” titullohet telereportazhi kushtuar jubileut të gjimnazit “Pjetër Budi”, dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.

Në një mëngjes të bukur janari të vitit 2001, bashkë me ish-kolegë të Mat TV-së, isha për vizitë te Dritëro Agolli, asokohe i sëmurë. Ndjehesh thellësisht i emocionuar, kur shkon të takosh një personalitet si ai, të cilin, dhe pa lidhje gjaku, e ke tëndin, e ke mik. Agolli është i të gjithëve. Realizuam telereportazhin “Takim me Agollin”, i cili u pëlqye shumë dhe është ritransmetuar. Telereportazhi “Talentet shkencore të Matit” u kushtohet nxënësve Eridion Canameti, Driola Dezhgiu, Andi Reçi, Adelajda Çupi, Amarilda Canameti, Ingrid Llaveshi dhe Eldisa Kurti. Secili prej tyre është një rast më vete, me dallimet dhe karakteristikat e veçanta. Me përpjekjet dhe aftësitë e tyre ata janë shndërruar në përçues të imazhit të vërtetë të vendlindjes së dashur, Matit.

“Të zgjedhurit” është telereportazhi tjetër, kushtuar promovimit të librit dokumentar me të njëjtin titull i autorit Simon Kaca, mbajtur në Qendrën Ndërkombëtare Kulturore “Arbnori”, Tiranë. Nëpërmjet telereportazhit “Jetë në shërbim të jetës” jam munduar të gjej gjurmët e jetës së infermierit Bajram Haxhi Frisku, këtij njeriu të mirë e të paharruar. Për ato veti e virtyte njerëzore, nga të cilat gjithkush mund të marrë shembull, familjarët kishin dëshirë ta përkujtonin. Nuk lë pa përmendur telereportazhet “Mesazhi i një jete” realizuar më 20 gusht 2004, i cili i kushtohet mësuesit të mirënjohur të gjuhës, ish-Normalistit Seit Osmani (Murati) dhe atë kushtuar shkollës 8-vjeçare Rremull me drejtues, z. Ramiz Mara. Mbresa të pashlyera më ka lënë telereportazhi “Martaneshi i dijes”, realizuar më 3 tetor 2004, me rastin e 95-vjetorit të Mësonjëtores së parë shqipe në fshatin Peshk të Martaneshit.

31 dhjetori, momenti më emocionues i ndërrimit të viteve, më ka ngacmuar fort. Dihet se telereportazhi nuk i ngjan telereportazhit, por ai i vitit 2005 për mua ishte i veçantë. Më ka mbetur në mendje, se 2005-sa qe vit elektoral, vit i ndërrimit të qeverisjes. Atmosferës së festës i shtova një dozë hunori, posaçërisht për ish-kryeministrin Berisha, deputetët Qemal Minxhozi, Idriz Xhornara, Ndue Shpani dhe kandidatëve për deputetë Agim Hysa e Gani Hoxha. Për Berishën, ndër të tjera, kam thënë:

Ruaj kolltukun, mos të ftohet

mos ia ngrij askujt buzëqeshjen,

2009-ta kur të afrohet,

mos prano me dhënë dorëheqjen.

Ndërsa për deputetin Minxhozi:

Di të punojë me projekte,

siç ka bërë dhe pa mandat,

është ustá, i bën për vete

socialistë dhe demokratë…

Nënshkrimin tim mban skenari i spektaklit “Këngët e zemrës”, kushtuar këngëtares së mirënjohur të këngës popullore matjane, Feride Kurti. Gjithashtu kam shkruar skenaret e spektakleve të përvitshëm të Mat Tv-së, “Miss e Mister Vogëlushi”, deri në vitin 2006. Nuk mund të harroj tekstet e përkujtimoreve të transmetuara në Mat Tv. Sidomos në media, ana profesionale vlerësohet shumë. Vendi im i punës në Mat Tv kërkonte paanshmëri, profesionalizëm, kështu që nuk mund të reflektoja asnjë preferencë politike. Në këtë ekran sot flasin të gjithë, bëjnë vërejtje, japin opinione, paraqesin kërkesa si e si të rritet në cilësi dhe shumëllojshmëri programesh. Shikuesit parapëlqejnë të gjejnë në transmetimet e tij atë që u mungon: të mirën, pozitiven, traditat, të kaluarën, të ardhmen, shkencën, të dëgjojnë këngët tona, të shohin njëri-tjetrin, vëllezërit tanë në emigracion, të dinë se ç’halle kanë ata dhe si jetojnë larg familjes dhe atdheut.

Mbajtja hapur e Mat Tv-së në kushte të ekonomisë së tregut, si dhe linçensimi ndër të parët e zonës Verilindore, flet për normalitet në rritje të jetës së vendit. Mat Tv ka hyrë nëpër vatrat familjare dhe shikohet në të gjithë rrethin e Matit e më gjërë. Pretendimet e stafit drejtues janë për kërkesa më të mëdha, për t’iu përgjigjur zhvillimeve e kushteve të sotme të mediave private. Por meritë dhe kontribut të veçantë kanë regjisori Shemsi Sulaj, kameramani Engjëll Mulellari, ing. Arian Zeneli, poeti Basir Bushkashi dhe gazetari Hysen Ruspi, të cilët, për ta përsosur atë, derdhën aftësitë dhe talentin e tyre.

U largova nga puna me një keqardhje, pasi objektivat si redaktor televizioni nuk i përmbusha. Pengu im ishte që nuk realizova një film dokumentar për Pjetër Budin, edhe pse çdo gjë e kisha dhe e kam gati. Vërtet Mati nuk ka nxjerrë ndonjë shkencëtar të madh, as filozof që të ketë krijuar ndonjë rrymë filozofike, por botës i dha Pjetër Budin poet. Prandaj Mat TV-së nuk duhet t’i mungojë një dokumentar i tillë. Megjithëkëtë, dhe pse jam larguar nga Mat Tv, me të njëjtën dashuri që kisha, pres çdo emision apo lajm, që valët e këtij stacioni privat televiziv shpërndajnë nëpër ekranet familjare të krahinës së Matit e më gjërë.

Gjithnjë përshëndes pronarët Luftim e Afrim Vani dhe ish-kolegët: Shemsi Sulaj, Engjëll Mulellari, Arjan Zeneli, Dafina Hysa, Hasan Pasha, Fatmir Neli, Kujtim Porja, Enver Doçi, Dali Gjika, Gazmir Gjurra, Eriol Sula, Fjoralba Hysa, Roza Koçi, Esmeralda Keta, Suada Cënuka, Anduena Sefgjini, Anita Kurti. Vetes ia kam mbushur mendjen se gazetaria është punë e përshtatshme që bëj. Dëshmi kam Mat Tv dhe gazetën e përkohshme “Kuvendi”, ish-organ i Shoqatës së Mediave, Mat.

Aktualisht jam drejtues i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, por profesion para gazetarisë kam mësuesinë. Edhe pse në jetë jam njeri i zakonshëm, pak këshilla, me mirëkuptim, i ruaj për ish-kolegët, ata që aktualisht punojnë në Mat Tv. Së pari, të jenë gazetarë të kohëve të reja, të thjeshtë, të respektojnë shokët dhe njerëzit. Ngaqë janë ftuar për punë në media, të punojnë sa më të pavarur. Të ndjejnë përgjegjësinë e fjalës që del nga mendja e tyre. Dhe së dyti, nëse munden, të ndjekin parimin e Odiseut, sipas të cilit “Nuk venë mbarë punët me shumë sundimtarë”.

Vitet ikin, por Mat TV shpresoj të mbetet i hapur. Duke qenë i vetmi stacion televiziv privat në trevën e Matit, shpreh besim që në të ardhmen stafi drejtues do ta përmirësojë më tej punën, për ta rritur cilësinë e programit të transmetimit televiziv. I uroj Mat Tv-së jetë sa më të gjatë!

Hamdi Hysuka,

ish-redaktor përgjegjës në Mat TV