Kjo është ura e “Halilajve” në hyrje të fshatit Dars në Bashkinë e Klosit. Që prej vitit 1977 kjo urë është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Ndonëse kjo ka një rëndësi të madhe historike e turistike, ura rrezikon shembjen në anën veriore të saj. Siç duket nga pamjet, ngjitur me këmbën e urës ka nisur gërryerja që po zvogëlon dita ditës edhe rrugën që lidh fshatrat, Dars, Fullqet e Bel. Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve për të mos lejuar agravimin e mëtejshëm të shembjes.
Sipas historianëve kjo urë mendohet të jetë ndërtuar nga një person i fisit “Halili” në fshatin Dars. Ajo gjendet mbi degën e zallit të Xhabzës, rreth 500 metra larg grykëderdhjes së tij në lumin Mat. E ngritur në një vend shkëmbor, gjatësia e saj është 19,5 m dhe gjerësia e trasesë është 2.60 m. Lartësia e harkut të urës është 9 m. Ura ka një dritare me lartësi 1.7 m dhe gjerësi 1.1 m. Ura lidhte Darsin me Fullqetin, por edhe si rrugë karvanesh që vinin nga Durrësi–Tirana–Xibër–Gurë i Bardhë e Ura e Vashës për në Dibër dhe degëzimi nga kalaja e Xibrit për në Dars–Ura e Pazarit në Klos. Ka veçori nga urat e tjera si nga harku i përthyer në mes, ashtu dhe me përputhjen e qemerëve njëri mbi tjetrin. Është më e vjetra nga urat e tjera në Mat dhe mendohet se i përket fund shekullit XVII-të ose fillimit të shekullit të XVIII-të. Ura është ndërtuar me llaç gëlqereje. Ka brenda teknikës dhe arkitektonikes elementë të stilit Venecian. Përmes kësaj ure ka pasur një arterie rruge me drejtim: Fullqet–Bel–Unjate–Ftua–Gurrë e Madhe–Gurrë e Vogël–Ura e Shëneprenes–Frankth deri në pazarin e Komsisë.