PROMOVOHET NË NJË TAKIM HOMAZH LIBRI ME KUJTIME E PUBLICISTIKE PËR “QYTETARIN E NDERIT” AQIF YMERI

Familjarë të “Qytetarit të Nderit”, Aqif Ymeri, me rastin e 3-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, kanë organizuar këtë të shtunë në qytetin e Klosit një takim homazh, ku kanë pritur të afërm, miq, bashkëpunëtorë të ngushtë të jetës e veprës së tij. Me këtë rast u promovua edhe libri në kujtime e publicistikë  “AQIF YMERI, DRITË E MIRËSI”.  Mirëseardhjen dhe falenderimet për të ftuarit në emër të familjes së Aqif Ymeri i bëri djali i tij Admirimi:

Të pranishmit ndoqën fillimisht një video-kronikë të përgatitur nga Artan Kurti dhe Hamdi Hysuka mbi jetën dhe veprën e të ndjerit Aqif Ymeri, ku dilte në pah Aqifi si familjar i përkushtur, mësues mjeshtër e drejtues vizionar, intelektualit i rrallë, studiues e hulumtues i përkushtuar i trevës së Kryemates, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Klos. Akoma më emocionues e bënë takimin edhe viedomesazhet të përcjella nga kolegë e bashkëpunëtorë të Aqifit, si Ali Gjokola dhe profesor dr. Albert Frashëri.

Moderatori i takimit, gazetari dhe studiuesi Avni Dani, pas fjalës së rastit, ftoi oratorë të tjerë si gazetarin Basir Çollaku, profesorin Hysen Çabej, prof. As. Dr. Teki Kurti, poetin Namik Selmani, etj. të ndanin kujtimet mbi jetën dhe veprën e “Qytetarit të Nderit”, Aqif Ymeri.

Intelektuali klosjan Aqif Ymeri u nda nga jeta më 3 mars të vitit 2021, në moshën 67-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, duke bërë që Mati dhe matjanët t’i jepnin lamtumirën një prej studiuesve dhe mësuesve më frymëzues dhe një prej intelektualëve më të përkushtuar të trevës, e më gjerë. Me veprat që shkroi “Breza në shërbim të dijes”, “Vatër e hershme qytetërimi”, “Klosi, vështrim gjeo-historik”, “Gjurmë të mësimit të gjuhës shqipe në Klos”, e mjaft shkrime të tjera publicistike, Aqif Ymeri, u tha nga pjesëmarrësit në këtë takim homazh, shkroi pavdekësinë e tij.