Lugina e shkopetit është ndër më të rrallat në vendin tonë për shkak të pozicionit që ndodhet mes maleve. Por kjo nuk është arsyeja e vetme që e bën kaq të bukur dhe tërheqëse për syrin e njeriut. Në stinën e pranverës kjo luginë ka thuajse të gjitha ngjyrat duke e bërë atë shumë tërheqëse.

  Dhjetra kalimtarë ndalen çdo ditë përgjatë luginës nga ura e Ulzës e deri tek tuneli i madh i Shkopetit, ku shumë prej vizitorëve kanë ardhur enkas, pasi kanë parë dhe dëgjuar për bukurinë e luginës. Pamja është piktoreske dhe çlodhëse. Një vëmendje të madhe tërheq ura e fshatit Shkopet e cila ka një gjatësi të konsiderueshme dhe lidh dy brigjet e liqenit.

Shqefën Gjegji është një emigrant i kthyer me pushime në vendlindje, ndërsa shprehet se si kjo luginë nuk ka parë askund. Ai na tregon se në Itali ku jeton, kjo luginë do të ishte krejt ndryshe pasi do të vihej në shërbim të turistëve duke investuar përgjatë saj.

Me gjithë bukurinë që ka lugina, problemi më i madh mbetet rruga nacionale që e përshkon, e cila është në gjendje të mjerueshme.