“1133 pyetje dhe raste studimore (në ndihmë të drejtorëve dhe nëndrejtorëve të Institucioneve Arsimore Parauniversitare)” – kështu titullohet libri metodik që mban për autor ekspertin e fushës së arsimit, Fatmir Neli, i sapocertifikuar nga Shkolla e Drejtorëve për drejtimin e Institucioneve të Arsimit Parauniveristar, mësues me titullin “Mjeshtër”, me një përvojë 30-vjeçare në arsim, nga të cilat 10 vite në drejtim. Ky libër u nevojitet jo vetëm drejtorëve dhe nëndrejtorëve që po ndjekin apo duhet të ndjekin me detyrim “Shkollën e Drejtorëve”, por edhe çdo mësuesi që aspiron të qenit në drejtim të IAP-ve.

Libri “1133 pyetje dhe raste studimore…”, është i ndarë në dy seksione, sipas modelit të Testimit për certifikim në “Shkollën e Drejtorëve”. Në seksionin e parë gjenden mbi 1100 pyetje me alternativa dhe përgjigjet përkatëse rreth çështjeve të trajtuara në të 9 modulet e “Shkollës së Drejtorëve”, por edhe mbi Standardet profesionale të drejtuesve të IAP, Ligjin 69/2012 i ndryshuar, si dhe Rregulloren e funksionimit të IAP. Qëllimi në formulimin e këtyre pyetjeve nuk ka qenë “të zërë mat” lexuesin, por që ai të zotërojë sa më shumë njohuri e koncepte mbi artin e drejtimit të shkollës. Madje mjaft nga pyetjet me alternativa janë të tipit “Gjeni pohimin e gabuar”, në mënyrë që të dominojnë gjatë leximit të pyetjes alternativat e sakta për konceptin që do të fitohet.

Ndërsa në seksionin e dytë të librit autori ka renditur 30 raste studimore së bashku me zgjidhjet e duhura të tyre. Të 30 rastet studimore që paraqiten në këtë libër janë një burim i mirë për cilindo drejtues shkolle apo aspirant e mësues për zgjidhjen e situatave reale, me të cilat mund të përballet në testimin e “Shkollës së Drejtorëve” apo në përditshmërinë e punës në shkollë, duke kuptuar logjikën e zgjidhjes të tyre dhe duke fituar intuitën për t’i dhënë zgjidhje çdo situate problemore.   

Në librin “1133 pyetje dhe raste studimore…” përfshihen edhe pyetje nga Rregullorja për funksionimin e IAP, si dhe pyetje mbi mësimdhënien e të nxënit, zhvillimin profesional, partneritetin me prindër dhe komunitetin etj., duke shërbyer si udhërrëfyes metodik edhe për mësuesit që i nënshtrohen konkurimit në Portalin “Mësues për Shqipërinë”, apo provimeve të kualifikimit dhe mësuesve aplikantë për provimin e shtetit në mësuesi. Ky libër studimor është botuar në sasi të limituara, ndaj të interesuarit duhet të nxitojnë ta bëjnë pjesë të bibliotekës së tyre profesionale.

Libri “1133 pyetje dhe raste studimore në ndihmë të drejtorëve dhe nëndrejtorëve të IAP”, me autor Fatmir Nelin, është libri i pestë i tij, pas 4 librave artistikë që ka të botuara. Edhe në këtë libër përkujdesja gjuhësore është realizuar nga mësuesja e Gjuhës shqipe Qamile Neli.

Autori matjan Fatmir Neli, në karrierën e tij intelektuale përgjatë këtyre 3 dekadave, ka spikatur dhe është vlerësuar jo vetëm në fushën e arsimit e të drejtimit të tij, por ka kontribute shumëvjeçare edhe në fushën e letrave dhe të gazetarisë televizive.   

    

MAT TELEVIZION