Lagjja “Tum” në fshatin Kurdari, të Bashkisë Klos, para viteve ’90 numëronte deri në 80 familje, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 15 familje. Por veçantia e kësaj lagjeje janë kullat rreth 300-vjeçare që kanë mbetur të parestauruara, madje një pjesë të shembura e një pjesë të mbuluara nga ferrat. Ish-banorë të kësaj lagjeje na thonë se lagjja “Tum” e kurdarisë të ngjante me lagjet e qytetit të gurtë të Gjirokastrës, nga strukturat e kullave dhe rrugët e shtruara me kalldrëm. Bedrie Mellani, na thotë se për nga veçoritë që karakterizohet lagjja “Tum” e Kurdarisë, ka tërhequr grupe turistësh që janë shprehur se kullat shumëshekullore duhet të kthehen në bujtina, por një iniciativë e tillë ka munguar si nga pronarët e tyre edhe nga vëmendja e instancave shtetërore.

Edhe ish banori tjetër Nexhmi Mellani thotë se kjo lagje i ka të gjitha resurset natyrore për t’u shndërruar në një lagje tërheqëse për turizmin, pasi nuk mungon uji i pijshëm dhe ai vaditës.

Ndërsa 87-vjeçari Emrella Abdulli ndjen keqardhje që lagjja “Tum” është e braktisur me kulla 300-vjeçare të pajeta, dhe u bën thirrje të rinjve të kthehen aty, ku të gjitha kushtet i kanë për të punuar e jetuar.