Dëshmia e rrallë e 81-vjeçarit Hysen Tabaku për historinë e arratisjes së tij më 1957-ën nga kufiri toksor në rrethin e Peshkopisë së bashku me vëllanë e tij Engjëllin dhe disa shokë të tjerë si: Sait Coku, Shefqet Pira, Xhemil Meçe dhe Halit Meta, e cila mbeti në tentativë pasi ai u arrestua nga forcat e kufirit kurse disa nga shokët e grupit të tij mbetën të vrarë nga plumbat e kufitarëve në afërsi të klonit….

Para së të dalim tek arratisja juaj nga Shqipëria, kur dhe në ç’rrethana u burgosët ju dhe sa vite burg u dënuat?

Unë u burgosa në vitin 1957, pasi tentova të arratisesha nga Shqipëria. Dhe arsyeja e vetme e tentativës së 1957-ës kishte lidhje edhe me moshën time të re, e unë isha i urituri si të thuash, për të parë botë si i thonë fjalës. Në atë kohë kishte ndodhur Konferenca e Tiranës, e cila sikur e zbuti pak situatën politike të regjimit komunist në fuqi, pasi pati përplasje të çuditshme gjatë vitit 1956, flas për arenën ndërkombëtare, por që u reflektuan edhe në Shqipëri. Kjo i dha hov nga revolucioni hungarez, sepse ngjalli shpresa në Shqipëri për ndryshimin e sistemit në fuqi. Në këtë kontekst kohor dhe politik unë pata dëshirë të arratisem jashtë shtetit, por për fat të keq, ne u arrestuam në shtëpi. Ne, unë dhe disa shokë të tjerë që kishim bërë planet të kalonim kufirin dhe të dilnim në botën e lirë, ishim tradhtuar nga një person i grupit.

Më konkretisht, çfarë ndodhi me ju dhe grupin tuaj?

Si fillim, për kronologji desha të them se njëra nga motrat e mia, Vera, në 1956-ën kishte ikur në Jugosllavi, pasi u martua me një kosovar dhe kaloi kufirin, natyrisht pa leje. Desha të shtoj se kjo gjë ndodhi, pasi në atë kohë ndodhi një si përmirësim i marrëdhënieve mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit. Dhe largimi i motrës për në Jugosllavi më dha një si hov, që të provoja edhe unë fatin e saj. Ne, një grup shokësh me ideale dhe bindje antikomuniste, ku bëja pjesë dhe unë, formuam një grup të vogël që më pas filluam ta zmadhojmë. Në atë kohë unë punoja në Parkun Automobilistik të Kamionëve në Tiranë dhe isha njohur me disa shoferë që punonin në rrugën e Peshkopisë, ku ishte dhe kufiri. Në marrëveshje me ata, ne vendosëm që të iknim. Ata, pra disa prej shoferëve me të cilët kishim biseduar për këtë punë, për arsye të ndryshme, patën një mosbesim te një nga pjesëtarët e grupit tonë dhe vendosën që ta ndërpresin këtë aktivitet. Pra, na kthyen në pikën zero, duke mos marrë asgjë përsipër. Kështu ne u ndamë në dy grupe.

Si quheshin shokët që bënin pjesë në këto dy grupe?

Në grupin e parë ishte Sait Coku, Shefqet Pira dhe Halit Meta. Në grupin tjetër isha unë, vëllai im, Engjëlli dhe Xhemil Meço. Mua nuk më pritej, si djalë i ri që isha, doja me çdo kusht të kaloja sa më shpejt në botën e lirë. U njoha me një person nga Maqellara, (nuk po ua them emrin, pasi nuk dua të lëndoj njerëzit e familjes dhe të afërmit e tij) i cili më premtoi se do të më nxirrte jashtë shtetit, por në fakt ai raportoi në organet e Sigurimit të Shtetit. Një natë kur ne po përgatiteshim për të ikur, ka qenë data 27 korrik i 1957, neve, pra të gjithë shokët që përmenda më sipër, na arrestuan duke fjetur. Dhe pas kësaj, për 4 muaj unë kam ndenjur në hetuesi. Unë e dija se do të ishte e pamundur për mua që t’i rezistoja presionit të hetuesisë, kryesisht presionit fizik dhe kur po arrestohesha, i thashë vëllait të vogël, Yllit, “shiko, do të shkosh të lajmërosh Shefqetin e Saitin, që mua më kapën”. Ai e kuptoi se për çfarë po flisja.

Dhe ç’ndodhi me ta?

Mbas një jave ata bënë tentativë për t’u arratisur, por u diktuan dhe u përplasën me forcat kufitare. Në përpjekjet në kufi, Halit Meta nuk ishte me grupin. Forcat kufitare në bashkëpunim me fshatarësinë kooperativiste të brezit kufitar, në atë kohë i rrethuan këta të dy dhe Seiti qëlloi me armë dhe plagosi një oficer rrugor, si dhe kryetarin e kooperativës. Ndërsa Shefqetin e vranë në kufi pa dalë në Jugosllavi.

Sa u dënuat për atë tentativë arratisjeje?

Gjykimi im u bë me një gjyq ushtarak me dyer të hapura, i cili për kohën ishte më tepër propagandistik, për të mbjellë terror edhe frikë, se ja, ne i kemi kapur e do t’i dënojmë, sepse personeli i Parkut të Autobusëve e Kamionëve ishte jashtëzakonisht i madh dhe donin të frikësonin të tjerët. Punonjësit e këtij parku ishin të ftuar të gjithë të merrnin pjesë në ketë gjyq që drejtohej nga kryetari i gjykatës, Bilbil Klosi. Si rezultat, Seitin e dënuan me pushkatim, Halitin me 20 vite burg, Xhemil Meçe me 12 vite burg, mua 15 vite burg, ndërsa vëllait tim, Engjëllit, i dhanë 5 vite burg. Mbas kësaj, Seit Cokut, Kuvendi Popullor ia fali jetën meqë kishte një vëlla dëshmor dhe kishte qenë partizan edhe vetë.

Sa vitet burg vuajtët ju personalisht?

Unë, me kalimin e kohës e kreva dënimin e fitova edhe me amnisti. Pata fituar ulje dënimi nga tri amnisti që beri qeveria komuniste e Tiranës në atë kohë. Kishim edhe një stimul ne të burgosurit që punonim në kampe pune. Aty fitova me punë dy vjet ulje dënimi. Unë mezi prisja të dilja përsëri nga burgu, se doja liri, e kisha ndarë mendjen, do të arratisesha nga Shqipëria, në rastin më të parë që të më jepej. Unë dola nga burgu në gusht të vitit 1964. U lirova nga burgu i Vlorës, nga Soda Kaustike, ku ne të burgosurit kemi ndërtuar një fabrikë. Pas daljes nga burgu, unë fillova të punoj saldator, zanat që e kisha mësuar në burg. Ministri i Brendshëm i asaj kohe ishte ankuar në Byronë Politike për çështjen e të burgosurve, duke i thënë: “Ne i futëm të burgosurit në burg, por ne u kemi dhenë literaturë atyre, ata përgatiten me gjuhë të huaja atje, përgatiten e bëhen punëtorë të zotë, bëhen hekur-kthyes, hidraulikë, elektricistë e dalin prapë një fuqi më e fuqishme akoma”. Kjo si të thuash ishte një kërcënim, ne duhet të zhdukeshim komplet, të asimiloheshim si klasë.

Në çfarë objektesh punuat si saldator?

Unë punova në ndërmarrjen e ndërtimit “21 Dhjetori” si saldator në montime. Kemi montuar ashensorë në Pallatin e Kulturës në Tiranë, shkallët, grilat, ajrimin, sistemin e ajrit të kondicionuar etj. Po si i themi ne shqiptarët, më mirë të të dalë syri sesa nami, se mua më doli nami si saldator i mirë. Kjo më dha një avantazh të madh e të çuditshëm. Unë isha zhvilluar jo pak nga burgu, sepse kisha studiuar gjatë asaj periudhe. U përqendrova kryesisht në gjuhën franceze e angleze. Në të njëjtën kohë unë shkruaja poezi e prozë, të cilat kur dola nga burgu i dogja të gjitha, sepse nuk doja të bëja burg për së dyti e të akuzohesha për agjitacion e propagandë. Këto ishin gjëra kaq paranojake për sistemin në atë kohë, sa shumë pak e kuptonin se ai shtet shqiptar i asaj kohe mbështetej në paranoja e terror për të mbajtur pushtetin. Ai shtet nuk kishte asgjë njerëzore. Por të dalim te puna ime e mëtejshme. Pasi ika nga “21 Dhjetori” me vendim të Komitetit të Partisë së Tiranës, mua më caktuan në Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës.

Si ishte e mundur që një ish-i burgosur politik të lejohej të punonte në ujësjellësa, kur dihej se ato konsideroheshin objekte të rëndësisë së veçantë dhe ruheshin shumë që të mos i hidhte helm armiku? Të paktën kështu thuhej në atë kohë…

Po, është më se e vërtetë ajo që thoni ju, por në atë kohë pak vetë e dinin se unë kisha qenë një i burgosur politik, ndërsa nami më kishte dalë dhe të gjithë thoshin se “saldator më të mirë se ky nuk ka”. Kjo më dha mua avantazh që të bëhem i njohur jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër ndërmarrje të tjera. Duke kaluar vitet, më dërguan të punoj në hidrocentralin e Vermoshit, për të salduar tubacionet e atij objekti, gjë e cila në një farë mënyre ishte e çuditshme, pasi nuk mund të dërgohej një i burgosur politik të punonte në një hidrocentral aq të rëndësishëm. Edhe drejtori im, që kisha në ujësjellës, Foto Lula, edhe pse ishte mik i imi, nuk e dinte se kisha qenë i burgosur. Ai kujtonte se kisha qenë në punë si shofer dhe isha burgosur me që kisha bërë aksident Dhe këto gjëra unë i kisha nxjerrë vetë për t’u kamufluar. Ishte një gjë e çuditshme, sepse unë isha në zonën e kufirit dhe mund të ikja në çdo sekondë, por nuk e bëra dhe nuk e çova kurrë në mend atë gjë, sepse e kisha shumë mik drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë Komunale, Pavllo Azduriani. Dhe po të isha arratisur unë, i pari që do mbante përgjegjësi dhe më e pakta do të shkarkohej nga funksioni i drejtorit, ishte ai. Meqë isha kaq i njohur, bëra hidrocentrale në Dukagjin e Theth, pastaj erdha më poshtë në Shënepremte, andej nga katundet e Elbasanit. Me pak fjalë bëra pothuaj të gjitha montimet dhe saldimet e pajisjeve të 7 hidrocentraleve nëpër zona malore të Shqipërisë. Si përfundim bëra edhe një tjetër që është shumë madhështore, kemi bërë ujësjellësin e Përmetit.

Përmendët ish-drejtorin e Ujësjellësit, Pavllo Azduriani, që e kishit mik dhe ju mbante në punë, po të tjerë njerëz me funksione të larta a ju kanë ndihmuar në ato vite?

Patjetër, ka pasur shumë dhe shumica e tyre ishin edhe komunistë, apo nga familje të tilla, por mjaft të ndershëm ama. Ndër ta do kujtoj një emër, inxhinier Vardar Starova, një njeri i jashtëzakonshëm, me zëmër të madhe, intelektual që zotëronte disa gjuhë të huaja, të cilit i detyrohem sa të jem gjallë, pasi më ka dhënë një ndihmë pa të cilën jeta ime do të kishte marrë drejtim tjetër, duke shkuar keq e më keq. Një tjetër person që më ka ndihmuar shumë në atë kohë ka qenë edhe Nehat Grazhdani, shefi i Zyrës Teknike të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, të cilit padyshim që i detyrohem shumë, pasi nuk ishte dhe fort e lehtë në atë kohë që një kuadër të ndihmonte një njeri si unë, që kisha qenë në burg politik.

Të kthehemi te puna juaj nëpër objekte dhe vepra industriale dhe është i njohur ky fakt, se të burgosurit politikë kanë marrë pjesë dhe kanë ndërtuar veprat më të mëdha të Shqipërisë nga jugu në veri?

Nuk mund të thuash tamam kështu, sepse vërtet të burgosurit politikë kanë dhënë një kontribut të madh me punë fizike, ndërsa anët e tjera të ndërtimeve janë bërë nga inxhinierë shqiptarë ose të huaj me diploma. Por nuk them se s’ka pasur përjashtime, pasi ka pasur të burgosur politikë në kampe dhe burgje, të cilët kanë bërë punë nga ana profesionale, të cilat nuk i bënin dot punëtorët apo specialistët që ishin të lirë. Nuk dua ta hiperbolizoj këtë që them, por është fakt i njohur. Ne, për fat të keq, them për pjesën më të madhe të brezit tim, nuk kemi pasur as shkolla e as diploma. Përfitimi ynë ishte ajo çfarë mësuam në burg, se burgu u bë shkolla jonë, për t’i rezistuar akoma më shumë regjimit dhe shtypjes që bënte ai ndaj shtresës sonë.

Por ndërsa u rregulluat mirë me punë, ju përsëri vendosët që të arratiseshit nga Shqipëria?

Siç ju thashë pak më lart, ideja për t’u arratisur ishte një ide që kishte bërë vend në ndërgjegjen e në koshiencën time prej kohësh. Unë do e kryeja atë, sepse humba disa vjet të rinisë time në burg e më vinte keq që ta humbisja pjesën tjetër të jetës duke punuar në saldim. Unë nuk kisha për t’u bërë profesor, por sidoqoftë nuk doja të punoja për të tjerët. E shikoja se unë kisha kapacitet për ta realizuar atë ëndërr, pra për të qenë i lirë. Por kush e rëndoi më shumë këtë situatë? Vetëm kërcënimi nga shteti. Pavarësisht se ishte si ëndërr, vendimi erdhi spontan. Unë fola vetëm me nipin, Gerin, djalin e motrës e i thashë “unë nuk dua të jetoj më në Shqipëri”. Kjo gjë përkoi edhe me një rast që u ndanë shtëpitë me punë vullnetare dhe mua nuk më dhanë kurrë. Atëherë unë i tregova nënës dhe i thashë “unë do të iki”. Nëna ka vuajtur shumë, pasi ne kemi qenë gjithë jetën në burg, se siç iu thashë pak më lart, babai ka bërë 15 vite e 7 muaj burg, vëllai i vogël, Ylli bëri 28 vjet dhe unë kam bërë 7 vjet, vëllai i dytë, Engjëlli ka bërë 5 vite burg. E gjithë familja ime ka qenë në burgje dhe internim e po t’i mbledhësh këto vite burgu e vuajtjeje, bëhet një shumë prej 109 vjet humbje lirie. Edhe nëna vetë vuajti 9 muaj burg. E torturuan dhe ia morën të gjithë florinjtë e na lanë neve pa lekë fare, se ne me ato jetonim, se ishim fëmijë të vegjël. Ne thyenim floririn që të ushqeheshim, por edhe atë e humbëm. Ne u rritëm jo të egër, por më shumë sesa të varfër, s’kishim asgjë. Kur them asgjë, veç katër muret e bodrumit ku na përplasën. Madje, nuk kishim as orë për t’u orientuar me kohën. Lidhur me punën e orës, po ju tregoj me dy fjalë një gjë që them se flet shumë. Ka qenë një karrocë që ne i thonim ‘karroca e Dumit’, i cili kalonte mëngjes për mëngjes për të shkuar tek treni. Bëhet fjalë pas daljes së babait nga burgu, aty nga viti 1964. Sapo e dëgjonte babai trokun e kalit të Dumit, na thoshte: “Dumi kaloi me karrocë, shkoni për punë se vajti ora”. Qëlloi një ditë që Dumi u sëmur dhe nuk doli me karrocë në punë dhe ne mbetëm pa u zgjuar dhe nuk vajtëm dot në punë se nuk e kapnim orarin. Pra, ishim të kushtëzuar në një farë mënyrë nga karroca e Dumit dhe po të mos dilte ai në punë, edhe ne mbeteshim.