Është çelur këtë të shtunë me një aktivitet të veçantë sezoni turistik në Mat nën moton “Ma t’mirat i gjen n’Mat”. Bashkia e Matit zgjodhi këtë ditë për të bërë hapjen e sezonit nëpërmjet një aktiviteti të larmishëm. Në sheshin “Ahmet Zogu” para godinës së bashkisë së Matit, u zhvillua panairi me produktet e fermerëve matjan, të cilët u ekspozuan aty nga vetë prodhuesit si dhe nxënës të shkollave të arsimit parauniversitar në Bashkinë e Matit. Po ashtu pati ekspozitë të skulpturave e pikturave nga punimet e nxënësve që frekuentojnë Qendrën Kulturore të Fëmijëve Mat, broshura e pikave turistike në trevën e Matit, prodhime të bujtinave, prodhuesve të produkteve të rrushit, ato artistike etj. Interesimi i qytetarëve ishte i lartë të cilët patën mundësinë që nga ora 9 e 30 minuta të bëheshin pjesë e këtij aktiviteti duke u njohur me produktet e ekspozuara. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se ky aktivitet synon promovimin e Matit dhe tërheqjen e vizitorëve në këtë trevë.

Një nga partnerët mbështetës të këtij aktiviteti ishte edhe organizata “Vizion OJF”. Drejtuesja e kësaj organizate Suela Koçibellinj ishte e pranishme në aktivitetin e çeljes së sezonit turistik në Mat. Koçibellinj tha se e rëndësishme është mbështetja e bizneseve të reja dhe për këtë organizata “Vizion OJF” kishte hapur edhe një thirrje.

Ndërkohë, Qendra Kulturore Mat dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat, ishin pjesë e këtij aktiviteti me interpretime në këngë e valle.

Ndërkohë në fund të aktivitetit juria vendosi që të ndajë çmimet për aplikimet më të mira që u prezantuan në kuadër të thirrjes “Rinis” nga organizata “Vizion OJF”. Nga 6 konkurent 2 prej tyre, Entela Çeliku dhe Jurgen Shqefni u shpërblyen me nga 1500 euro grant dhe me 3000 euro, Valentina Nikolli.
Më pas kryebashkiaku Malaj i shoqëruar nga drejtuesja e “Vizion OJF”, Suela Koçibellinj panë nga afër të gjitha produktet e Matit të ekspozuara në të gjitha stendat e vendosura në shesh.