Tetori “rozë”, aktivitet sensibilizues i NjVKSH Mat
Në kuadër të muajit Tetor i cili njihet si muaji “rozë” dhe ka të bëjë me luftën kundër kancerit të gjirit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Mat, nëpërmjet sektorit të promocionit pranë këtij institucioni zhvilloi një aktivitet sensibilizues. Aktiviteti u mbajt në ambjentet e Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” të qytetit të Burrelit ku morën pjesë gra nga të gjitha fushat e jetës. E pranishme në këtë aktivitet sensibilizues ishte edhe gazetarja e njohur matjane Mira Kazhani, e cila solli pjesë nga libri i saj “Një ditë tjetër” i cili sjell një histori reale të luftës ndaj sëmundjes që prek gjininë femërore. Në rrëfimin e saj para grave matjane, Kazhani dha mesazhe inkurajuese jo vetëm për të bërë kontrollin periodik të gjirit sipas rregullave mjekësore, por edhe të vendosmërisë, mbështetjes dhe forcës për të luftuar me sëmundjen e rëndë. Aktiviteti shërbeu si një thirrje për më shumë ndërgjegjësim, kujdes dhe solidaritet, duke rikujtuar se zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit mund të shpëtojë jetë. Por organizatorët dhe mjekët këshillojnë që jo vetëm gjatë muajit Tetor gratë duhet të kujtohen për këtë sëmundje. Ata mund të bëjnë kontroll me mamografi gjatë gjithë vitit në mënyrë që çdo shqetësim apo dyshim i mundshëm për këtë sëmundje të zbulohet në kohë.