“Tungjatjeta o Mat!” – poezi vëllimi poetik i Lulzim Cukës që kthen kujtesën te rrënjët e Matit
Sapo ka rënë në duart e lexuesve vëllimin e ri poetik të autorit Lulzim Cuka, me titull "Tungjatjeta, o Mat!", një libër që përbëhet nga mbi 100 poezi kushtuar Matit, historisë, atdheut, nënës dhe vlerave kombëtare. Redaktuar nga Fatmir Gjestila, me artin grafik të Mariglen Gjestilës, libri vjen si një akt kujtese dhe mirënjohjeje për tokën e lashtë të Matit. "Tungjatjeta, o Mat!", hapet me një hyrje ku autori e përshkruan Matin si "tokën e kujtesës dhe të fjalës", duke ndjekur gjurmët historike që nga ilirët, fiset e Pirustëve, principata e Kastriotëve, Kuvendet e Lisit e Dukagjinit, deri te Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit në kishën e Shën Trinisë më 1462. Ky udhëtim historik i shërben lexuesit si themel për vargjet që pasojnë. Poezitë e këtij vëllimi janë të ndara në disa boshte tematike: atdheu, liria, heroizmi, nëna, vendlindja, mërgimi, dashuria për gjuhën shqipe dhe reflektime mbi padrejtësinë e kohës. Në faqet e librit gjejnë vend figura historike si Skënderbeu, Pjetër Budi, Ahmet Xhetani, Shahin Toçi, Zenel Vata, Rexhep Pashë Mati, Abdi Mati, Adem Jashari, si dhe kujtime për Kuvendet e Burgajetit, Lisit, Suçit, Bruçit, Dukagjinit e Gërshizës. Një vend të veçantë zë poezia "31 Korrik 1943", kushtuar çlirimit të Burrelit nga pushtuesi fashist, si dhe cikli i poezive për Kosovën dhe figurën e Adem Jasharit. Vëllimi përmbyll me poezinë "Jam kthye", një rrëfim mallëngjyes për kthimin te vendlindja dhe pranimi i saj si strehë e shpirtit. Në parathënien e librit, autori shprehet se ky vëllim nuk është shkruar për të bindur askënd për madhështinë e Matit, por për të mos lejuar që heshtja të mbulojë kujtesën. "Çdo poezi e këtij vëllimi është një akt kujtese. Dhe kujtesa është forma më fisnike e mirënjohjes", shkruan Cuka. Poeti matjan Lulzim Cuka ka përfunduar ka kryer Masterin e Shkencave në Histori dhe Masterin e Shkencave në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Bashkimin Evropian. Karrierën profesionale e ka nisur si specialist në Ministrinë e Kulturës, ndërsa aktualisht merret me studime shkencore dhe publicistikë. Më parë ka botuar vëllimin me poezi "Tingujt e Heshtur" si dhe librin studimor "Bashkimi Evropian dhe Sfidat e Shqipërisë". Ndërsa vëlimi poetic "Tungjatjeta, o Mat!" e vendos autorin në radhën e zërave të rinj që kërkojnë të ruajnë trashëgiminë shpirtërore të trevave shqiptare përmes fjalës poetike.