“Nga ishin Kastriotët”, promovohet libri i Ramazan (Bardh) Kica
Në kuadër të muajit Tetor si muaji i Letërsisë, Biblioteka Publike Mat, organizoi një aktivitet mbi promovimin e librit më të ri të studiuesit dibran Ramazan Kica, atë me titull “Nga ishin Kastriotët”. Aktiviteti u mbajt në ambjentet e pallatit të kulturës Burrel, ku morën pjesë shkrimtarë, mësues, poetë dhe përfaqësues të Bashkisë Mat e Qendrës Kulturore të saj. Fjalën e rastit e mbajti Përgjegjësja e Bibliotekës “Pjetër Budi” Mat, Fiqirete Kurti. Më pas përshendeti Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Mat, Elson Reçi. Për autorin dhe veprën e tij “Nga ishin Kastriotët” referuan shkrimtari dhe publicisti Qemal Cenaj, si dhe redaktori i librit Viktor Përshqefa. Oratorët që morën fjalën vlerësuan dhe përgëzuan autorin dibran për veprën studimore “Nga ishin Kastriotët”, që ndryshe nga studiues të tjerë dibranë që përcaktojnë origjinën e Skënderbeut nga Dibra, autori Kica e vendos origjinën e Heroit tonë Kombëtar nga Mati.