Bashkia Mat nis dëgjesat publike për buxhetin dhe paketën fiskale

Bashkia Mat nis dëgjesat publike për buxhetin dhe paketën fiskale

Në kuadër të hartimit të projekt-buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, Bashkia Mat nisi turin e dëgjesave publike me banorët. Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, i shoqëruar nga stafi i tij, u ndal në takimin e parë me banorët e Njësisë Administrative Macukull. Duke qenë se një nga problemet më madhore të kësaj njësie është mbyllur pak ditë më parë, asfaltimi i rrugës, problemet e tjera të dala në këtë dëgjesë ishin për rrugët e lagjeve dhe ujin e pijshëm. Kryebashkiaku Bojni tha se bashkia që ai drejton do të vijojë të punojë për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të Macukullit. Më pas dëgjesa publike me banorët u zhvendos në Njësinë Administrative Derjan. Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Bashkisë Mat Altin Bojni tha se paketa fiskale nuk do të ketë ndryshim nga ajo e vitit të kaluar, pra taksat do të jenë të njëjta e po ashtu edhe vlera e tyre. Sa i përket buxhetit, Bojni shtoi se prioritet do të vijohet t’i jepet infrastrukturës rrugore, kryesisht në fshatrat e largët si në Zall Gjoçaj, Lam i Madh, Dukagjin etj. Gjithashtu, banorët kërkuan një menaxhim më të mirë të rrjetit të ujit të pijshëm, pasi sipas tyre shumë banorë e përdorin për vaditje, duke bërë që të kenë shumë pak ujë për konsumim.