Klevis Dalipi merr drejtimin e Burrelit, nis një kapitull i ri për matjanët

Klevis Dalipi merr drejtimin e Burrelit, nis një kapitull i ri për matjanët

Pas largimit të Samuel Nikajt, KF Burreli nuk ka humbur kohë për të gjetur trajnerin e ri. Zgjedhja ka rënë te Klevis Dalipi, i cili merr përsipër drejtimin e skuadrës matjane me synimin për t’i dhënë një impuls të ri ekipit në sfidat e mbetura të sezonit.

Dalipi pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës dhe të prezantohet në stadiumin “Liri Ballabani”, ku do të shpalosë objektivat dhe planet e tij për vazhdimësinë e kampionatit.

Një emër i njohur në futbollin shqiptar, Dalipi ka një karrierë të pasur si futbollist, duke luajtur për skuadra si Partizani, Vllaznia, Elbasani, Bylis, Kamza dhe Korabi.

Ai ka luajtur gjithashtu në Portugali dhe ka përfaqësuar Kombëtaren shqiptare në vitin 2002.

Në dy sezonet e fundit, Dalipi ka drejtuar Dyrrah City Akademi. Tashmë, sfida e tij e radhës është pankina e Burrelit, ku synon të sjellë idetë e tij dhe të ndihmojë skuadrën të përmbushë objektivat e klubit për pjesën e mbetur të sezonit.