Futboll/ Burrelin nuk e ka frikë më askush! Humbje e turpshme në shtëpi ndaj Kukësit

Futboll/ Burrelin nuk e ka frikë më askush! Humbje e turpshme në shtëpi ndaj Kukësit

Skuadra e Burrelit ka pësuar një tjetër humbje këtë të shtunë teksa u përball në stadiumin “Liri Ballabani” me ekipin e Kukësit. Në 7 javë kampionat matjanët kanë marrë vetëm një fitore ndaj Orikut, skuadër të cilën e kanë mundur të gjithë, ka mbajtur tre barazime dhe ka pësuar 3 humbje. Humbja e kësaj të shtune ishte në të vërtetë një humbje e turpshme për shkak se ishin matjanët të cilët kaluan të parët në avantazh me Rrapin që në minutën e 13. Pjesa e parë ishte përgjithësisht e donimuar nga matjanët teksa miqtë u përpoqën të barazonin shifrat. Megjithatë, kuksjanët arritën ta gjejnë golin e barazimit në minutën e 65 me Demircanin teksa shfrytëzon saktë një pasim të dhënë nga e djathta e tij. Miqtë fituan superioritet pas golit të barazimit teksa pesë minuta më vonë do të shënonin edhe golin e fitores. Është Shepanksi i cili në të njëjtën anë të portës matjane merr një top dhe godet fort duke tundur rrjetën vendase. Pesë zëvendësimet e trajnerit Samuel Nikaj nuk ndryshuan asgjë teksa miqtë arritën të marrin tri pikë të rëndësishme dhe të ngjiten një vend më lart në tabelën klasifikuese. Aktualisht Burreli është futur në zonën e kuqe pasi ndodhet në vendin e 11 me vetëm 6 pikë. Humbja e sotme duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë pasi është nga rezultatet më të dobëta të skuadrës matjane në këtë sezon. Është detyrë e klubit të futbollit dhe stafit teknik të dalin në konkluzione përgjegjësie dhe skuadra t’i rikthehet dinjitetit të emrit që mban.