Ansambli “Mati”, merr çmimin e dytë në Kosovë

0
27

Ansambli “Mati” është bërë pjesë e edicionit të 23-të i Festivalit Folklorik “Aanadria Jehon” duke e vlerësuar me Çmimin e Dytë. Për tri ditë me radhë, në datat 11, 12 dhe 13 maj, në Dejnë të Rahovecit, ku për tre ditë me radhë u ngjitën në skenë 21 grupe, ansamble nga mbarë trevat shqiptare dhe diaspora, Juria e çmoi paraqitjen artistike dhe përmbajtjen e repertorit të interpretuar nga Ansambli “Mati”.

Ansambli “Mati”, konkuroi natën e tretë të festivalit, duke u përfaqësuar me këngë, valle e melodi të interpretura nga artiste dhe artistë. Repertori u çel me këngën e kurbetit “Nanë, moj nanë…!” kënduar nga Jola Muça, shoqëruar nga Xhevrie Vata dhe Denisa Merra. Më pas grupi i valltareve me Xhevrie Vatën, Sejme Merrën, Liljana Cenin, Bruna dhe Juna Kadiun, kërcyen “Valle të lira grashë” të shoqëruara nga orkestrina. Nën ritmet e lodrës së Enver Kurtit dhe melodive të ciganave të Verì Kobures dhe Ramadan Abazit, hoqën valle burrash: Algert Xhetani e Miron Vaçi me “Vallen e Terziut”; Ferit Hoxha e Gentian Kuleni me vallen “Molla e Kuqe” dhe vëllezërit Xhemal e Adriatik Aliaj me “Vallen Zybekshe”. Pas instrumentales së luajtur nga artistët Xhavit Dishani, Enver Kurti, Adriatik Aliaj, Alfred Murra, Xhuljo Barjoti dhe Esteban Hoti (të “ndihmuar” nga Tiago i vogël), kolazhi me këngë të dasmave matjane, luajtur e kënduar nga e gjithë trupa, mbylli repertorin e Ansamblit “Mati”.

Në mbyllje të natës së tretë të Edicionit të 23-të të Festivalit Folklorik “Anadria Jehon”, ku për tre ditë me radhë u ngjitën në skenë 21 grupe, ansamble nga mbarë trevat shqiptare dhe diaspora, Juria e çmoi paraqitjen artistike dhe përmbajtjen e repertorit të interpretuar nga Ansambli “Mati”, duke e vlerësuar me Çmimin e Dytë.